FIFA publikoi këtë të enjte renditjen e përgjithshme për kombëtaret për muajin që lamë pas. Barazimi me Serbinë dhe Letoninë në ndeshjet e vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2026, duket se ka lënë shenjë të kuqezinjtë që kanë zbritur dy pozicione dhe nga vendi i 66-të , tani e shohin veten të 68-të në botë.
Kështu pas gati dy vitesh, në stolin e Shqipërisë, Sylvinho e kthen përfaqësuesen shqiptare aty ku e mori nga Edy Reja dhe në pozitën ku e gjeti, shkruan A2 CNN.
Kombëtarja e Kosovës ka shënuar përparim në këtë renditje, duke u ngritur për dy pozita pas paraqitjeve të mira në ndeshjet e qershorit.
Dardanët zhvilluan dy ndeshje miqësore në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ku mposhtën Armeninë me rezultat 5-2 dhe më pas Komoret me rezultat 4-2.
Si rezultat i këtyre fitoreve, Kosova është ngritur nga pozita e 97-të në atë të 95-të, që njëherazi përfaqëson renditjen më të lartë në historinë e saj që prej pranimit në FIFA dhe UEFA në vitin 2016. Kreu vijon të mbahet nga Argjentina, ndjekur nga Spanja, Franca dhe Anglia.
