Mbetet në fuqi obligimi për prodhuesit dhe tregtarët privatë që deklaratat apo etiketat e produkteve të tyre së bashku me dokumentacionin shoqërues, përveç në maqedonisht, t’i kenë edhe në shqip. Gjykata Kushtetuese nuk siguroi shumicë votash për ta rrëzuar ose mbështetur iniciativën e avokatit Valentin Pepelugoskit, e cila mbi dy vite qëndron në sirtarët e gjykatës. Megjithatë, asgjë nuk ka mbaruar me lëndën, do të vendoset sërish në ndonjërën prej seancave të radhës, pasi dje votimi ishte baras.
Katër gjyqtarë nuk u pajtuan që të hiqen pjesë nga 6 nenet e Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorëve, me të cilat rregullohet përdorimi i shqipes në deklaratat e produkteve, e të cilat janë vendosur si rrjedhojë e harmonizimit me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve. Nga ana tjetër, janë katër gjyqtarët e tjerë që pajtohen me konstatimet e parashtruesit të iniciativës, i cili konteston këto nene, nën arsyetimin se janë në kundërshtim me Amendamentin 5 të Kushtetutës, i cili e rregullon çështjen e përdorimit të gjuhës së qytetarëve që flasin së paku 20% e qytetarëve. Sipas tyre, përdorimi i shqipes, duhet të jetë vetëm në raport me shtetin, por jo edhe personave privat.
“Ky është obligim i shtetit dhe institucioneve, por jo edhe i personave privat. Ligji për Përdorimin e Gjuhëve është i drejtuar për rregullimin e marrëdhënies së gjuhës mes njësive shtetërore dhe personave juridikë me autorizime publike të interesit publik dhe nuk e përfshin mënyrën e komunikimit mes personave privat si kufizim i lirisë së tregut dhe sipërmarrjes”, thonë nga Iniciativa e Valentin Pepelugoskit në Gjykatën Kushtetuese.
Ndryshimet ligjore, u bënë me qëllim që konsumatori shqiptar dhe i komuniteteve të tjera ku janë mbi 20%, të informohen në gjuhën e tyre amtare për produktin që e blejnë dhe të drejtat e tyre. Të gjithë prodhimtarët, por edhe importuesit që nga produktet ushqimore, farmaceutike, të teknikës së bardhë, por edhe të veshmbathjeve dhe të tjera, duhet që të kenë deklarata në shqip. Ata gjithashtu duhet të përkthejnë edhe udhëzuesit e produkteve, certifikatat, por edhe fletët e garancisë. Në të kundërtën duhet të paguajnë gjoba.
Ndonëse këto dispozita nuk janë respektuar me përpikëri, tregtarët maqedonas vazhdimisht janë ankuar se përkthimi i deklaratave u është bërë barrë financiare pasi duhet të angazhojnë përkthyes. Krahas kundërshtimeve të odave ekonomike, në shkurt të këtij viti pati edhe një tentativë të dështuar nga partia E Majta, për të ndryshuar Ligjin. Megjithatë, këto ndryshime nuk u mbështetën nga shumica parlamentare./ Alsat.mk
