SHTETET MOSNJOHËSE TË BE-së NDAJ KOSOVËS – SHKAK I DESTABILIZIMIT NË RAJON
Shumë diplomatë të shquar amerikanë i fajësojnë shtetet evropiane të cilat nuk e njohin pavarësinë e Kosovës e cila sipas tyre, konsiderohet si shkak i krijimit të gjendjes destabilizuese në Ballkanin Perëndimor, gjegjësisht në konfliktin e pazgjidhur mes Kosovës dhe Serbisë.
Ish-zëvendëshefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Edward Joseph, i cili aktualisht është ligjërues në shkollën e Universitetit “John Hopkins” për Studime të Avancuara Ndërkombëtare (SAIS), ka fajësuar pesë shtetet e BE-së: Greqinë, Qipron, Sllovakinë, Rumaninë dhe Spanjën, të cilat nuk e njohin Kosovën, duke pohuar se me këtë qëndrim ato po riafirmojnë pozitën e Serbisë dhe çdo gjë që shkon në favor të saj.
Ai shton më tej se në mënyrë direkte, këto shtete mosnjohëse i japin Beogradit entuziazmin për ta goditur sovranitetin dhe funksionalitetin e tri prej katër shteteve fqinje, në të cilën serbët jetojnë në numër të konsiderueshëm, pra në Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë dhe Mal të Zi.
Serbia duhet të heqë dorë nga tentimet për ta bllokuar anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Por, Serbia nuk e kontrollon anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe Bashkim Evropian, mirëpo janë pesë shtetet mosnjohëse të BE-së që mbajnë peng një rrugëtim të tillë. Sa i përket gjasave të heqjes dorë të Serbisë nga bllokimi i Kosovës, kjo mund ta bëjë atë më të varur në aspektin e politikës së jashtme, gjegjësisht duke ndikuar mbi të Moska, Pekini dhe Irani.
Që nga invazioni rus ndaj Ukrainës, gjeopolitika në botë ka ndryshuar, por jo edhe Ballkani Perëndimor dhe kjo për shkak të Serbisë, e cila nuk ndryshon dhe ka ambiciet e njëjta që nga e kaluara. Edward Joseph ka ripërsëritur se çelësi për gjithë çështjen është njohja e Kosovës nga pesë shtetet e BE-së që ende nuk e kanë njohur, por edhe më vendimtare është njohja nga Ukraina. Pra, ajo çfarë mund të bëjë Perëndimi në këtë aspekt është të ndikojë në Athinë dhe Kiev për njohjen e Kosovës.
Ish-diplomati britanik Anthony Monckton ka thënë se me Ballkanin Perëndimor nuk është bërë shumë dhe se nuk ka pasur rezultate konkrete veprimi. Sipas tij, iniciativat për paqe dhe stabilitet në rajon japin më shumë shpresë sesa diskutimi me politikanët, që siç ka thënë ai, nuk kanë ndryshuar qëndrim që 20 vjet.
Arsyeja pse Rusia ka ndikim të madh te populli serb është kryesisht për shkak të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili e ndihmon këtë përmes mediave të cilat i kontrollon. Madje vet Serbia është ajo që inicion edhe nismën e Ballkanit të Hapur e cila po rezistohet nga Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova. Sipas këndvështrimit të këtyre shteteve, kjo nismë duket si dimension ekonomik i botës serbe. Në atë botë serbe është një analog ekzakt sipas dizajnit të një bote ruse dhe një riemërtim i Serbisë së Madhe që njihet nga vitet 1999.