Tifogrupi “Shvercerat” nga Shkupi ka bërë thirrje për një tubim masiv në përkrahje të Kombëtares shqiptare këtë të shtunë, më 7 qershor, duke sfiduar pengesat e vendosura nga Federata Shqiptare e Futbollit, informon POPULLI.mk
“Në Sheshin Skënderbeu, ora 20:45, ndezim atmosferën për Kombëtaren tonë! Ata na duan të ndarë, ne u tregojmë se kudo që ka shqiptarë, ka një Shqipëri!”, thuhet në komunikatën zyrtare të tifogrupit.
“Shvercerat” kanë shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj FSHF-së, duke e akuzuar për pengesa dhe ndarje mes shqiptarëve. Por pavarësisht kësaj, ata theksojnë se nuk mund të ndalen “as me bileta, as me rregulla, as me urdhra”.
“Ne jemi zëri i tribunës që s’humb kurrë – jemi Shvercerat, jemi Kuqezi, jemi Shqipëria e vërtetë!”, përfundon deklarata, e cila mban edhe një mesazh të fortë për bashkimin kombëtar: “O je me kombin, o je kundër tij!”
Tubimi organizohet nga tifogrupi “Shvercerat” dhe përkrahet nga Komuna e Çairit. Atmosfera pritet të jetë festive dhe me ngjyra kuqezi në zemër të Shkupit.
🇦🇱 Një Komb, Një Zë, Një Flamur! / © POPULLI.mk