Grupi i tifozëve “Shvercerat”, të njohur si lojtari i 12-të i përjetshëm i FC Shkupit, ka reaguar ashpër ndaj situatës aktuale të klubit, informon POPULLI.mk.
Në një deklaratë të fuqishme dhe të ngarkuar me emocione, ata shprehin zhgënjimin dhe revoltën për formën e dobët të ekipit dhe mungesën e përkushtimit të lojtarëve.
“Prej vitit 1989 e deri më sot kemi qenë gjithmonë pranë klubit të zemrës, pa kushte, me shpirt, me zemër, me jetë. Ne e kemi mbrojtur këtë fanellë më shumë se kushdo tjetër”, thuhet në deklaratë.
Tifozët kritikojnë ashpër 10 ndeshjet e fundit pa fitore, duke e cilësuar ekipin si “pa fytyrë, pa shpirt dhe pa luftë”, ndërsa theksojnë se fanella e klubit është “larë me gjak e djersë nga ata që kanë luftuar vërtet për ngjyrat e saj, jo si ata që sot e njollosin çdo javë me turp dhe nënshtrim”.
Në këtë frymë proteste, “Shvercerat” paralajmërojnë bojkot dhe protestë në ndeshjen e radhës kundër Tikveshit, duke kërkuar përgjegjësi nga të gjithë – nga drejtuesit e klubit, të cilët i quajnë të paaftë, deri te lojtarët që, sipas tyre, nuk tregojnë as krenari dhe as përgjegjësi.
“Mjaft më! FC Shkupi është i popullit, jo i mediokërve që e poshtërojnë!”, përfundon deklarata e tyre. / © POPULLI.mk