11.8 C
Skopje
E mërkurë, 2 Prill, 2025

Si i ka ndryshuar COVID-i fëmijët në Britaninë e Madhe

Ndonëse pandemia COVID-19 ka kohë që ka përfunduar, trashëgimia e saj në kuptimin e pasojave negative, është e pashlyeshme, veçanërisht për gjeneratat e reja. Pesë vjet më pas, pasojat vazhdojnë. Pasiguria, rritja e pabarazisë, përdorimi i shtuar i pajisjeve teknologjike dhe ankthi janë vetëm disa prej trashëgimive të COVID-it që po ndikojnë te fëmijët dhe adoleshentët.

Kur bie theksi te katastrofat, fëmijët zakonisht “injorohen dhe keqtrajtohen”, sipas profesoreshës dhe ekspertes së katastrofave Lucy Easthope. Pesë vjet më parë, kur shkollat u mbyllën dhe mësimi u zhvillua në mënyrë virtuale, një alarm u aktivizua brenda saj.

“Karantinimi më tmerroi mua”, ka thënë ajo. Plani i qeverisë ishte t’i mbante fëmijët të sigurt, por shumë prej tyre ishin të rrezikuar nga abuzimi familjar nëpër shtëpitë e tyre. Prezantimi i “shkollave online” në ndërkohë, e theu kontratën sociale midis shkollave dhe prindërve “për tërë jetën”.

Shkollat sërish po përballen me “nivele tmerrësisht të larta të shmangies”, ka thënë Easthope. Për dallim nga koha kur prindërit dhe mësuesit punonin së bashku për t’i ndihmuar fëmijët që s’dëshironin të shkonin në shkollë, papritmazi dolën prindër që nuk ia shohin më vlerën shkollës.

Pesë vjet më pas, pasojat vazhdojnë. Pasiguria, rritja e pabarazisë, përdorimi i shtuar i pajisjeve teknologjike dhe ankthi janë vetëm disa prej trashëgimive të COVID-it që po ndikojnë te fëmijët dhe adoleshentët. Foshnjat e lindura gjatë fillimit të pandemisë COVID-19 tani janë 5-vjeçare dhe kanë vështirësi të arrijnë zhvillimin e duhur. 1.6 milion fëmijë në Angli ende mungojnë në mënyrë të vazhdueshme nëpër shkolla dhe studentët të cilëve iu vodhën vitet e universitetit nga pandemia janë duke u përballur me vështirësi për shkak të shëndetit të dobët mendor.

Felixi ishte në vitin e dytë në universitet kur pandemia filloi të përhapej. Kampusi universitar u mbyll, ligjëratat mbaheshin online dhe studentët e huaj u larguan nga Britania e Madhe. Ai mbeti i vetëm dhe vazhdon të përballet me pasojat.

“Për mua ka një dallim të madh para dhe pas”, ka thënë ai. “Në pamje të jashtme unë mund të dukem i njëjti, por vetmia e atyre dy vjetëve e ka bllokuar zhvillimin tim shoqëror. Ndihem jashtëzakonisht i zhgënjyer. Në ato dy vjet, unë nuk mbaj mend gati asgjë”.

Momente të rëndësishme kaluan pothuajse pa u vënë re.

“Në ditëlindjen time të 20-të, unë piva disa gota shampanjë në oborrin e përparmë me familjarët. Ditëlindjen e 21-të e kalova me dy miq në oborr

Besimi te politikanët është zbehur.

“Ndihem i vjedhur prej qeverisë dhe prej universitetit. Aftësia ime për të krijuar marrëdhënie shoqërore është ndikuar. Jam pothuajse 25 vjeç dhe nuk kam ide se çfarë të bëj me jetën time”, ka thënë Felix.

“Mbijetues të katastrofës”

Sa i përket kësaj, Easthope vlerëson se “gjithçka kthehet në emërtimin e kësaj ashtu siç ishte – ishte një katastrofë”.

“Ne të gjithë jemi mbijetues të katastrofës. Na është thënë për një periudhë kohore të jemi të tmerruar, prandaj ishte kjo rritja e ankthit te prindërit, sepse ne iu dhamë çdo arsye të mundshme për të qenë nën ankth”, tha Easthope.

Për shumë njerëz, ankthi nuk u largua kurrë.

“Para disa ditësh pashë një nënë që vraponte pas një fëmije që ishte rreth gjashtë vjeç. Atë e dëgjoja tek thoshte: ‘Rachel, Rachel, çanta jote është e hapur’. Ishte vërtetë dramatike, me të vërtetë hiperbolike. Çfarë arrita të kuptoj për atë nënë ishte diçka që jam mësuar ta shoh te të mbijetuarit e katastrofave – ne kemi tjetërsuar ndjenjën e tyre të sigurisë. Njerëzit janë të tensionuar”, thotë Easthope.

Njëkohësisht, raporti mes fëmijëve dhe kohës së kaluar para ekraneve ka ndryshuar në mënyrë të pakthyeshme. Easthope kujton fëmijën e saj 5-vjeçar me tri pajisje të hapura, në mënyrë që ajo të qasej në mësimet online gjatë karantinës.

“Ishte laptopi ynë përmes të cilit ajo po fliste, duhej të ngarkonte gjëra në tablet dhe kishte edhe një telefon. Thjesht ndihesha e dëshpëruar për atë që sapo kishim bërë”.

Megjithëse shumë shkolla po tentojnë të mos i lejojnë fëmijët të përdorin telefonat gjatë orarit të mësimit, sipas Easthope, ka 18 dhe 19-vjeçarë, që thjesht nuk “mund të ekzistojnë pa teknologji”.

“Ata nuk mund ta imagjinojnë jetën pa telefona”, thotë Easthope.
Komisionerja e fëmijëve për Anglinë, ish-drejtoresha Rachel de Souza, ka qenë në qendër të përpjekjeve për t’i rikthyer fëmijët në shkollë që nga izolimi dhe ka theksuar çështjet e sigurisë online që janë bërë të dukshme që kur u kërkua nga të rinjtë të kalonin mësimet dhe jetën shoqërore online.
“Cunami” i problemeve të shëndetit mendor po ndikon te fëmijët që nga karantina – një në pesë fëmijë përjetojnë probleme mendore, sikurse ankthi apo depresioni – e kjo vazhdon të mbetet shqetësim i madh.

De Souza druan se fëmijët nuk ndiejnë se ata në pushtet po i dëgjojnë, dhe ka frikë nga pasojat që do të vijnë.

“Çfarë unë po shoh është një valë e madhe interesimi në populizëm dhe në partinë Reformatore në mes të grupmoshave të reja”, ka thënë De Souza.

Ajo gjithashtu paralajmëroi për rritjen e sëmundjeve seksualisht të transmetueshme, përfshirë gonorrenë dhe sifilizin, te të rinjtë – pasojat e mbylljes së klinikave të shëndetit seksual në kohën e COVID-it dhe ndërprerjes së edukimit seksual nëpër shkolla.

“Pandemia COVID-19 ka prodhuar pasiguri në jetët tona, ndërsa ka penguar fëmijët në edukimin e tyre, rutinën dhe raportet shoqërore në mënyra që ne tani po fillojmë t’i kuptojmë”, ka vlerësuar De Souza. “Pavarësisht kësaj, kjo nuk është gjeneratë cinike. Ata kanë parë komunitetet e tyre të mblidhen bashkë përmes akteve të mirësisë, dhe vullnetarët që mundësojnë lidhje thelbësore për njerëzit në izolim”.

“Për disa, ndihma shtesë vazhdon të jetë e nevojshme për t’u mundësuar atyre që të shkojnë në shkollë rregullisht, të shoqërohen me shokët e tyre, ose të tejkalojnë traumën – dhe për shumë të tjerë kjo nuk ka qenë në dispozicion”.

Ndikimi në shëndetin mendor

Shumë fëmijë ballafaqohen me pritje të gjata në shërbimet e kujdesit për shëndetin mendor, po ashtu ka mbikëqyrje të dobët për fëmijët që ende mungojnë në arsim, dhe është e nevojshme urgjentisht një rregullore e fortë për hapësirat online, pasi fëmijët po kalojnë gjithnjë e më shumë kohë në internet.

“Është më e rëndësishme se kurrë më parë. Për të dëgjuar zërat e fëmijëve dhe për t’i përfshirë ata në vendime që formësojnë të ardhmen e tyre dhe rikuperimin e vendit”, ka shtuar De Souza.

Frank Cottrell-Boyce, ka tërhequr një analogji midis përvojave të fëmijëve gjatë pandemisë dhe të fëmijëve që u evakuuan në Luftën e Dytë Botërore.

“Nëna ime ishte evakuuar në Uellsin verior, dhe një natë ajo dhe motrat e saj u dërguan në një çati dhe panë një shkëlqim të kuq në qiell, atyre iu patën thënë se, ‘Ai është Liverpooli në flakë’. Ajo tashmë ka ndërruar jetë, por vazhdonte të fliste për këto përvoja edhe kur hyri në të 80-tat. Ndonëse kishte kujtime të lumtura prej evakuimit, imazhet tmerruese të qytetit të saj të lindjes duke u djegur qëndruan me të për gjithë jetën. Është e njëjta me COVID-in”, tha Cottrell-Boyce.

“Pas çdo ngjarjeje si kjo, ekziston gjithmonë periudha e harresës. Por fëmijët nuk do të harrojnë se ishin të frikësuar. Ata nuk do të harrojnë se prindërit e tyre ishin të frikësuar, dhe kjo është diçka e madhe”.

Menjëherë pas izolimit, Cottrell-Boyce i pyeti mësuesit se çfarë kishte ndryshuar te fëmijët.

“Ata janë ende pak si foshnjat”, i pati thënë një mësues. “Nuk dinë të ndajnë. Nuk e pranojnë dot humbjen. Lojërat muzikore – mezi mund t’i luajmë pa ndonjë shpërthim emocional”.

“Nuk donin të këndonin – kjo ishte ajo që më theu zemrën”, ka shtuar ai.

Duke vizituar shkollat më pas, sipas tij pasoja më e dukshme ishte pasiguria.

“Gjërat që ti dhe unë u rritëm duke i menduar si të panegociueshme sikurse moti [si të shkosh në shkollë] janë papritur të negociueshme për këtë brez që e ka kaluar pandeminë”, tha Cottrell-Boyce.
Ai dëshiron të jetë optimist.

“Shpresoj vërtet që fëmijët do ta çojnë përpara ndjenjën e komunitetit dhe dijen se ekziston vërtet diçka si shoqëria. Se gjërat që na lidhin janë më të qëndrueshme se ato që na ndajnë”.

Helen Dodd, profesoreshë e psikologjisë së fëmijëve në Universitetin e Exeterit, ka thënë se izolimi u rikujtoi njerëzve rëndësinë e lojës së përbashkët të fëmijëve – një fitore e vogël, por e rëndësishme. Megjithatë, ajo paralajmëroi se mungesa në shkollë do të ketë pasoja afatgjata.

“Nëse nuk shkojnë në shkollë, ata humbasin arsimimin e tyre, dhe kjo ka ndikime afatgjata në mundësitë që do të kenë në jetë”.

Ngjarjet e jetës gjatë fëmijërisë hedhin themelet e asaj që ne jemi dhe si e shohim veten e botën. Ato nuk mund të zëvendësohen lehtë.

Anne Longfield ishte komisionerja e fëmijëve në Angli kur filloi COVID-i. Ajo ka thënë se problemet e fëmijëve – shëndeti i dobët mendor, varfëria, pabarazitë ekonomike e sociale si dhe nevojat e paplotësuara – po përkeqësoheshin edhe para pandemisë, për shkak të masave ekonomike. COVID-i veçse “i hodhi benzinë zjarrit”, dhe kriza e mëvonshme e standardit jetësor e përkeqësoi skajshmërisht gjendjen.

“Ka një brez fëmijësh që kanë humbur besimin në parashikueshmërinë e jetës dhe besimin se normaliteti do të mbetet i njëjtë. Ata tani jetojnë me këtë pasiguri, dhe kjo është diçka madhore, apo jo?”./TheGuardian

Të ngjajshme

Të fundit