5.8 C
Skopje
E diel, 20 Prill, 2025

Si po ndryshon mbështetja ndërkombëtare për aktorët politikë në RMV

Skena politike në Maqedoninë e Veriut përjeton një tronditje të re dhe, ndoshta, transformuese. Pas shumë vitesh presion për të ecur përpara, edhe në Maqedoninë e Veriut erdhi koha që SHBA dhe të tjerët t’ia tërheqin vërejtjen politikanëve për të bëmat e këqija në të kaluarën e afërt dhe të largët. Korrupsioni, ryshfeti, keqpërdorimet tani po dalin në shesh me ardhjen e Qeverisë së re.

Elon Latifi

Koalicioni VLEN duket se po fiton vëmendje dhe mbështetje të konsiderueshme nga qarqet ndërkombëtare, veçanërisht nga SHBA-ja. Me rastin e fundit ku Artan Grubi, ish-zv kryeministër i parë në RMV nga radhët e BDI u shpall “non grata” nga SHBA-të, ka bërë që tek popullata të bëhet me dije se tani bëhet fjalë për një qeverisje tjetër e ku në fakt bashkë me VMRO-në bën pjesë edhe VLEN, si përfaqësues të shqiptarëve. Ky fakt përbën një sinjal alarmi për strukturat e vjetra politike, ku Bashkimi Demokratik për Integrim duket se ndodhet në një pozitë të brishttë.

Për vite me radhë, BDI ka qenë forca politike dominante mes shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Përmes një rrjeti të fortë klientelist dhe mbështetjes ndërkombëtare si garantues i stabilitetit, kjo parti ia ka dalë të mbijetojë. Por gjërat po ndryshojnë. Raportet ndërkombëtare, veçanërisht ato të publikuara kohët e fundit, tregojnë se partnerët e huaj po e humbin durimin me skandalet korruptive dhe mungesën e reformave të premtuara nga kjo parti.

Koalicioni VLEN, me një qasje të freskët dhe vizion europian, duket se ka ngjallur interes të veçantë në Uashington dhe Bruksel. SHBA-ja, gjithmonë është interesuar për stabilitet dhe zhvillim në Ballkanin Perëndimor, ku ka treguar shenja që mbështet forca të reja politike që promovojnë reformë, transparencë dhe integrim europian. VLEN ka potencialin të riformësojë politikën shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe të përshpejtojë proceset integruese të vendit, duke parë se kemi edhe një VMRO ndryshe nga ajo e Gruevskit.

Për një pjesë të madhe të elektoratit shqiptar, VLEN ofron një mundësi të re për të kapërcyer zhgënjimin ndaj elitave të vjetra. Programi i saj, i fokusuar në zhvillimin ekonomik, luftën kundër korrupsionit dhe ngritjen e moralit kombëtar, po rezonon fuqishëm sidomos me të rinjtë.

Presioni ndërkombëtar po ndihet. Zyrtarë të lartë të BDI-së janë thirrur shpesh për konsultime nga ambasadat e fuqishme në Shkup, duke marrë paralajmërime të qarta për nevojën e ndryshimeve. Xhevat Ademi, Ramiz Merko dhe së fundmi Artan Grubi, që të tre të vendosur në listën e zezë nga SHBA-të. Por duket qartë se kapaciteti për vetë-reformim mungon. Problemet e brendshme të partise, ndasitë mes fraksioneve dhe humbja e kontaktit me bazën elektorale e kanë dobësuar tej mase pozicionin e saj.

Çrregullimet e fundit si dhe zhgënjimi i partnerëve ndërkombëtarë mund të jenë fillimi i fundit për dominimin e BDI-së në skenën politike. Sinjal i qartë ishte edhe për përgjigjen që BDI tash e 6 muaj nuk e mori nga ndërkombëtarët me letrat e tyre për legjitimitetin dhe tema tjera.

Me mbështetjen amerikane, nëse vetëm mund ta quajmë, dhe mbështetjen gjithnjë e më të madhe nga elektorati shqiptar, VLEN ka të gjitha gjasat të kthehet në një aktor vendimtar politik. Por sfidat mbeten të shihen. Përtej mbështetjes ndërkombëtare, VLEN duhet të fitojë besimin dhe mbështetjen e qëndrueshme nga qytetarët.

Për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, VLEN mund të simbolizojë një kapitull të ri politik, ku integriteti, vizioni dhe ndërgjegjësimi kombëtar të jenë parimet udhëheqëse. Por koha do tregojë nëse ky koalicion do të arrijë të transformojë realitetin politik, apo do të përballen me të njëjtat sfida që kanë rrënuar të kaluarën. Në një kohë kur e ardhmja e Maqedonisë së Veriut varet nga dinamika e brendshme dhe presioni ndërkombëtar, të gjithë sytë janë tek VLEN dhe përballja e saj me BDI-në.

 

Të ngjajshme

Të fundit