Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Administratës së Organeve Gjyqësore dhe Shoqatave të Qytetarëve, Tërpe Deanoski deklaroi se i kanë dërguar Qeverisë kërkesë formale për t’u takuar me kryeministrin dhe për të vazhduar dialogun që siç thotë ata është ndërprerë në mënyrë të njëanshme nga Ministria e Financave. Deanoski thotë se presin që Qeveria të tregojë mirëkuptim dhe ta pranojë dorën e zgjatur për të gjetur zgjidhje, në të kundërtën thotë ai, do t’i riaktivizojnë protestat dhe do t’i shfrytëzojnë të gjitha mundësitë e parapara me ligj për të shprehur pakënaqësitë.
“Këto ditë kemi lexuar deklarata deklarative të Qeverisë, përmes të cilave jemi ftuar në takime përmes mediave, ndërsa nuk kemi marrë zyrtarisht asnjë ftesë për vazhdimin e dialogut. Meqenëse dialogu nuk zhvillohet përmes njoftimeve dhe mediave sindikata sot ka dorëzuar një kërkesë formale për takim me kryeministrin, me të cilën kërkojmë rifillimin e dialogut të ndërprerë në mënyrë të njëanshme nga Ministria e Financave duke refuzuar propozimin për marrëveshje kolektive për shtesë në paga për këta punëtorë që sot po protestojnë me ne”.
Zoran Georgievski nga Ministria e Drejtësisë tha se ata meritojnë kushte dinjitoze të jetesës dhe theksoi se këto kushtet nuk mund të arrihen me paga që nuk ecin me rritjen e standardit të jetesës.
“Kërkojmë trajtim të barabartë për të gjithë. Çdo punëtor, pavarësisht nga pozicioni apo vendi i punës, ka të drejtën e të njejtës rritje dhe të njejtit vlerësim për punën e tij. Ne kërkojmë një rritje pagash prej të paktën 30 %, që është minimumi që mund të bëhet, për të lejuar punëtorët të ruajnë dinjitetin e tyre dhe të sigurojnë nevojat bazë për familjet e tyre”.
Të punësuarit e 7 ministrive, Entit Shtetëror të Statistikave dhe Arkivit Shtetëror kanë protestuar nga dita e hënë duke kërkuar rritje të pagave për 30%.