Sipas informacioneve të para, ata mashtruan më shumë se 500 mijë dollarë.
Tregu online ishte aktiv që nga korriku i vitit 2023, dhe operonte përmes domeneve të shumta në internet. Ai përmbante një bazë të dhënash të detajuar të të dhënave personale të kompromentuara për regjistrimet e llogarive të klientëve dhe shitësve, me mbi 2,600 llogari përdoruesish dhe mbi 1,500 llogari shitësish të regjistruara.
Policia ka zhvilluar një aksion në Reçicë të Madhe, ku janë arrestuar dy persona të dyshuar si administratorë të një tregu ilegal online.
Sektori për krim kompjuterik në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në koordinim me informacione të marra nga FBI, ka realizuar një hetim të përbashkët lidhur me platformën ilegale “OLVX”. Sipas autoriteteve, kjo platformë ka qenë aktive që nga korriku i vitit 2023 dhe ka operuar përmes disa domeneve në internet, duke përmbajtur të dhëna të komprometuara të përdoruesve.
Nga hetimet rezulton se në këtë treg online janë regjistruar mbi 2.600 përdorues dhe rreth 1.500 shitës, ndërsa vlera totale e shitjeve ka tejkaluar 500 mijë dollarë amerikanë.
Me urdhër të Gjykatës Themelore në Tetovë, është kryer bastisje në banesat e të dyshuarve A.E. (20) dhe A.I. (23), shtetas të Maqedonisë së Veriut. Gjatë aksionit, ata janë kapur në flagrancë, ndërsa janë sekuestruar kompjuterë desktop, laptopë dhe telefona, të cilët do t’i nënshtrohen analizave të mëtejshme forenzike.
Të dy personat janë ndaluar nga policia, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.
