13.8 C
Skopje
E hënë, 2 Mars, 2026

Sofje, presidenti i dorëhequr Rumen Radevi do të formojë parti politike?

Një ditë pas dorëheqjes së paprecedentë të Presidentit bullgar Rumen Radev, spekulimet në Sofje janë shtuar për një rol më aktiv të tij në zhbllokimin e institucioneve. Radev, ish-gjeneral i forcave ajrore dhe një nga figurat më të pëlqyera në politikën bullgare, ka qenë president që nga viti 2016 dhe ka luajtur një rol kyç në menaxhimin e ndryshimeve të njëpasnjëshme politike, pas dështimeve të përsëritura për të ndërtuar koalicione funksionale. Gjatë gjithë dekadës së fundit, çdo proces zgjedhor ka prodhuar parlamente të fragmentuara, të paafta për të çuar përpara reformat strukturore, pavarësisht se Bullgaria këtë vit u bë shteti i fundit anëtar që adoptoi euron. Vendi përgatitet për zgjedhjet e teta kombëtare në vetëm pesë vite.

“Klasa politike e sotme ka tradhtuar shpresat e bullgarëve për kompromis me oligarkinë. Besimi juaj më detyron të mbroj shtetësinë, institucionet dhe të ardhmen tone. Beteja për të ardhmen e atdheut është përpara nesh dhe besoj se do ta luftojmë atë së bashku me të gjithë ju, të denjët, të frymëzuarit dhe të pakompromistë”, deklaroi Rumen Radev, President i Bullgarisë.

Qeveria e fundit, e udhëhequr nga kryeministri Rosen Zheljazkov, mori detyrën vetëm një vit më parë, por u rrëzua në dhjetor mes protestave më të mëdha që vendi ka parë në mbi dhjetë vjet. Shkak u bë propozimi i tij për buxhetin e vitit të ardhshëm, i cili parashikonte rritje të shpenzimeve publike, por që kritikët e panë si një mekanizëm për të favorizuar elitat e korruptuara.

Në këtë klimë pakënaqësie të thellë, Radev ka pozicionuar veten si zë i kundërshtimit ndaj establishmentit politik, duke mbështetur hapur protestat dhe duke ushqyer narrativën anti-elitë.

Vendin e Radevit në Presidencën bullgare e zë Ilijana Jotova. Të dy janë figura të njohura për qëndrime të ashpra ndaj Shkupit. Të dy kanë mbështetur linjën e ashpër bullgare për mbrojtjen e asaj që Sofja e quan “interesa historike dhe identitare”, duke insistuar që përfshirja e bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut të jetë një hap i domosdoshëm për përparimin e negociatave me BE-në.

“Fillimi i vërtetë i procesit të negociatave do të jetë kur komuniteti bullgar, bullgarët, do të regjistrohen si popull shtetformues në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Derisa të përmbushet ky kusht, në praktikë nuk mund të ketë asnjë hap përpara”, tha Ilijana Jotova, Zv.Presidente e Bullgarisë.

Shkupi dhe Sofja nënshkruan marrëveshjen e fqinjësisë së mirë në vitin 2017. Që atëherë raportet vetëm se janë komplikuar kurse kërkesat bullgare hynë në kornizën negociuese të vendit me BE-në, dhe u bënë edhe kërkesa të unionit. /Alsat.mk

Të ngjajshme

Të fundit