Në datën 6 dhjetor 2024, dy oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit u paraqiten në derën e shtëpisë së kryetarit të Bashkisë Tiranë me një autorizim nga gjykata për të ushtruar kontroll.
Oficerët qëndruan për dy orën në godinën e pallatit të kryebashkiakut në zonën e njohur si “Kodra e Diellit” dhe sekuestruan telefonin e gruas së tij Ajola Xoxa. Më pas ata kontrolluan për disa orë dhe zyrat e qendrës Harabel në zonën e ish-Bllokut.
Sipas vendimit të Gjykatës së Posaçme, SPAK ka marrë miratimin e për të ushtruar kontroll personal dhe të banesave Ajola Xoxën bashkëshorte e Erion Veliaj, Arbër Veliaj vëllai i z.Veliaj, Elman Abule mik i afërt i Erion Veliaj, Marisa Nito bashkëjetuese e Elman Abule dhe mike e Ajola Xoxës, Adela Kondakçiu mike e Ajola Xoxës dhe Driant Zeneli bashkëpunëtor i Xoxës në qendrën “Harabel”.
Prokurorët kanë marrë miratimin për të kontrolluar dhe zyrat e disa bizneseve dhe qendrave që lidhen me aktivitetin e familjarëve të zotit Veliaj: “Partenërs Laë” shpk, zyra ligjore që administrohet nga Ajola Хохa, Naan Gallery SHPK qendër kulturore ku është e punësuar Ajola Xoxa, “Qendra Harabel” e cila administrohet nga artisti Driant Zeneli dhe ku Ajola Xoxa mban postin e drejtores kreative, Ava Studio SHPK, e cila administrohet nga mamaja e Ajola Xoxës, Valbona Xoxa, kompania Gogel shpk që zotërohet nga Arbër Veliaj, vëllai i kryetari të Bashkisë Tiranë. Gjithashtu kontrollet kanë autorizuar edhe kontrollin e kompanisë së Adela Kondakçiut, firmë në fushën e marketigut dhe dizajnit dhe zyrat e Rametal shpk, në pronësi të Elman Abules.
Por si i lidh SPAK të gjithë këta emra me njëri-tjetrin dhe çfarë dyshohet të kenë kryer ata duke u ndihmuar nga pozitat e kryetarit të bashkisë Tiranë, Erion Veliaj? Në vendimin e Gjykatës së Posaçme konstatohet se prokurorët kanë gjetur “të dhëna konkrete se anëtarë të ngushtë të familjes si dhe familjarë të tjerë të afërt me Kryetarin e Bashkisë Tiranë, shtetasin Erion Veliaj, kanë marrë përfitime të paligjshme përmes disa shoqërive dhe individëve, të cilët kanë interesa të drejtpërdrejta në Bashkinë Tiranë.” Procedimi është regjistruar në fillimin e këtij viti me dyshimin për veprën penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”.
“E gjithë ajo aureola shumëvjeçare që kishte krijuar kryetari Bashkisë Tiranë për një shkëlqim të tij në detyrë, për një sukses të pakontestueshëm për një publik që e adhuron dhe e do, tanimë është rrënuar me një hetim që ka nisur Prokuroria e Posaçme dhe pse ai është përpjekur ta demotivojë duke thënë që janë ‘kolegë’, por bëjnë një punë shumë të mirë,”- thotë gazetari Denis Dyrnjaja.
Të dhënat e përpunuara nga Kronos në deklaratat e pasurisë të depozituara nga kryebashkiaku Erion Veliaj tregojnë se kryebashkiaku është pronar i një apartamenti me sipërfaqe 111 m2 i blerë më 13 shtator 2013, dy ditë përpara se të betohej si Ministër i Rinisë dhe Mirëqënies Sociale ku shërbeu për dy vjet në kabinetin e parë të qeverisë Rama. Shtëpia është deklaruar se është blerë për vlerën 51 mijë euro me të ardhura që vinin nga shitja e apartamentit të mamasë së tij dhe paga, pronë që më pas është rivlerësuar në tetor të atij viti për vlerën 128 mijë euro.
Deklarata e pasurisë për vlerën e apartamentit rezulton me flamur të kuq, pasi çmimi i rivlerësimit është 2.3 herë më shumë se vlera e deklaruar e blerjes, vlerë që është rritur në harkun kohor të 2 muajve.
Në total gjendja e llogarive bankare të kryebashkiakut është 10 mijë euro dhe vazhdon të paguajë një kredi të marrë në shtator të 2015-ës me vlerë fillestare 61 mijë euro, ku i kanë mbetur ende për të shlyer 36 mijë eruo deri në vitin 2030. Deklarata e pasurisë rezulton me probleme pasi kredia është dibursuar në vitin 2015, por është deklaruar si detyrim nga ana e kryebashkiakut një vit më vonë. Për vitin 2023 Veliaj ka gjeneruar 24 mijë euro të ardhura nga paga si kryetar bashkie dhe 17 mijë euro nga shpërblime dhe dietat për udhëtime jashtë vendit.
Në pamje të parë, analiza e pasurisë së tij e tregon si një nëpunës modest që ka një apartament, një kredi dhe një depozitë simbolike dhe që jetesën e siguron me të ardhurat nga paga. Kontrastin në të gjithë këtë tablo e bën rrethi familjar i tij.
Bashkëshortja e z.Veliaj, Ajola Xoxa ka të deklaruara disa llogari bankare që kapin një vlerë totale prej 617 mijë euro, ku afërsisht një e treta e këtyre llogarive vijnë nga trashëgimia. Xoxa ka në zotërim 2 apartamente, një me sipërfaqe 162 m2 të blerë në vitin 2016 për vlerën 88.6 mijë euro në zonën “Kodra e Diellit”, dhe një tjetër të blerë në vitin 2018 me sipërfaqe 107 m 2 për vlerën 105 mijë euro me të ardhura të dhuruara dhe nga puna. Ajola Xoxa ka në pronësi 367 m2 sipërfaqe takuese të një trualli në Fier të përfituar nga trashëgimia. Po nga trashëgimia ajo zotëron 19.8% aksione në kompaninë “Botimet Enciklopedike” dhe ka në pronësi dhe zyrën ligjore “Partners Law”.
Gjatë vitit 2023 Xoxa deklaron se ka gjeneruar në total 97.3 mijë euro të ardhura nga puna në qendra të ndryshme kryesisht në fushën e kulturës dhe nga kompanitë që administron. 22.4 mijë euro janë marrë nga veprimtaria profesionale në Qendrën Harabel, 22 mijë euro nga projekti Balkan Youth Link – Albania, 15.7 mijë euro nga veprimtari të tjera, 12 mijë euro nga qiraja, 12 mijë euro nga paga si administratore te shoqëria Botimet Enciklopedike dhe 13.2 mijë euro nga zyra ligjore Partners Law shpk. Nga këto të ardhura rezulton të ketë kursyer 90.6 mijë euro dhe të ketë shpenzuar përgjatë vitit 2023, 6.7 mijë euro. Xoxa nuk rezulton të ketë detyrime bankare.
Ajola Xoxa vitet e fundit është fokusuar në fushën e artit, ku përmes disa qendrave dhe kompanive është shndërruar në kuratore të shumë ekspozitave, eventeve dhe organizimeve që ndodhin në kryeqytet.
Pjesa më e madhe e këtyre ekspozitave dhe eventeve organizohen nga Qendra Harabel, Galeria Naan dhe Galeria Gur Gur, organizata ku Xoxa rezulton si e punësuar dhe një nga bashkëpunëtoret kryesore. Të gjitha këto qendra kanë adresën në zonën e ish-Bllokut, ndërsa vetë Galeria Naan është e vendosur në një vilë në afërsi të wTower, ambientet e së cilës shërbejnë shpesh për të promovuar ekspozita dhe artistë.
Ajo që ndodh prej vitesh me këto organizata është konflikti i hapur i interesit që ekspozita të kuruara nga zonja e parë e kryeqytetit, sponsorizohen me fonde publike dhe në shumicën dërrmuese, fondet janë të bashkisë së kryeqytetit, e cila drejtohet nga bashkëshorti i saj!
Sipas të dhënave të thesarit të shtetit, Ministria e Kulturës ka bërë 7 pagesa direkte për Qendrën Harabel në vlerën 39 mijë euro, për të sponsorizuar ekspozitën “Komedia Hyjnore”, projekti “Antikiteti në artin bashkëkohor shqiptar”, ekspozitën ndërkombëtare të arteve të bukura Zabel dhe një projekt për dixhitalizimin e artit bashkëkohor.
Në një pjesë të mirë të këtyre ekspozitave, kuratore është Ajola Xoxa. Në rastin e ilustrimeve ksilografike që mbajnë emrin e Salvador Dalisë që u shfaqën në galerinë “Naan” “Ëndrra hyjnore” kuratorë ishin Zef Paci dhe Ajola Xoxa. Për këtë ekspozitë Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka paguar 12 mijë euro në gusht të këtij viti. Xoxa rezulton kuratore dhe për platformën e artit bashkëkohor, e cila ka marrë financim nga Ministria e Kulturës, por dhe në shumë evente të tjera që janë zbatuar qendrat dhe galeritë Harabel, Naan, Gur Gur dhe Balkan Youth Link.
“Fshati Kirjues” event i organizuar nga qendra Harabel është mbështetur nga Agjencia e Industrisë Kreative, fondi Tirana Kryqeyteti i Rinisë dhe nga Bashkia Tiranë. “Visual Arts by Harabel” po ashtu ka marrë financime nga këto agjenci dhe nga vetë Bashkia e Tiranës, përveç kontributit që ka dhënë Instituti Italian i Artit dhe Universiteti i Arteve.
“Red Shoes Installation” i mbajtur më 8 mars në sheshin “Nënë Tereza” i zbatuar nga qendra Harabel, ka marrë mbështetjen nga Bashkia Tiranë, përveç organizatave të tjera që e kanë mbështetur si Un Women, United Nations Albania dhe fondi Suedez.
“JR Insideout” është sponsorizuar nga bashkia Tiranë, Agjencia e Industrisë Kreative dhe D18 Paris. Zbatimi i projektit është bërë nga qendra Harabel.
Harabel dhe Balkans Youth Link kanë marrë mbështetje nga Ministria e Kulturës për të organizuar shfaqen e baletit “The Down of Time”.
Harabel është mbështetur nga Ministria e Kulturës dhe kompani private për zhvillimin e Festivalit Ndërkombëtar të Kërcimit Bashkëkohor. Naan Gallery dhe Harabel kanë marrë mbështetje nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit për projektin Starburster në Qendrën Kulturore të Fëmijëve Durrës. Galeria Gur Gur dhe qendra Harabel kanë marrë mbështetjen e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit për të zhvilluar atelierin e Modës dhe Tekstileve në vjeshtën e vitit 2023 në Petrelë.
Të ardhurat për vitin 2023 të gjeneruara nga qendra Harabel dhe Balkans Youth Link për Ajola Xoxën kapin vlerën 44.5 mijë euro. Xoxa ofron punën e saj si kuratore në organizime që mbështeten me fonde që jep bashkia Tiranë, në krye të së cilës është bashkëshorti i saj Erion Veliaj!
“Pastrimi i produkteve të veprës penale është një proces që duhet të përfshijë brenda vetes njerëz sa më të afërt e sa më të besuar, ndaj dhe hetimi nis me rrethin e afërt të personit që po hetohet për veprën penale. Znj.Xoxa dhe Z. Arbër Veliaj po hetohen për përfitime që ata kanë patur nga pozita e Erion Veliaj si kryetar i bashkisë,”- thotë eksperti i ekonomisë Pano Soko. Një tjetër milioner, në vlera dhe më të mëdha se bashkëshortja e kryetarit të Bashkisë Tiranë, është vëllai i tij Arbër Veliaj. Duket se suksesi i kompanisë së tij në fushën e marketingut, eventeve dhe menaxhimit të fushatave të reklamave, Gogel shpk lidhet ngushtësisht me karrierën në politikë dhe poste drejtuese të vëllait të tij.
Arbër Veliaj ble në vitin 2011 të gjitha aksionet në këtë kompani e cila ishte themeluar më parë nga Gentian Zguri dhe Floran Pustina për çmimin 1 mijë euro. Sipas të dhënave të depozituara në bilancin e shoqërisë, Gogel rezulton në këtë periudhë me një xhiro vjetore në vlerën 106 mijë euro dhe fitim 10 mijë euro. Në vitin 2012 të ardhurat e kompanisë rezultojnë 50 mijë euro dhe fitimi 5 mijë euro. Në vitin 2013, të ardhurat janë në vlerën 78 mijë euro dhe fitimi 4 mijë euro.
Rritja e menjëhershme e kompanisë Gogël vjen në vitin 2014, kur z.Erion Veliaj kishte marrë postin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, pas këtij viti, të ardhurat për firmën e Arbër Veliaj dyfishohen dhe arrijnë një xhiro mesatare 3 milion euro në vit mes periudhës 2018-2022, në vitin 2023, xhiro shtohet me 2.6 herë për të kapur shifrën 8 milion euro. Në po këtë vit Arbër Veliaj themelon një tjetër kompani që zotëron Gogël shpk, Gogël Holding me aktivitet në fushën e administrimit të pjesëmarrjeve në kompani të tjera dhe konsulencës teknike, financiare dhe ligjore , e cila ka shënuar një xhiro vjetore që vitin e parë të operimit në vlerën e 1.66 milion eurove dhe një fitim neto 1.65 milion euro.
Në total nga aktiviteti i shoqërive të tij në Shqipëri Arbër Veliaj ka gjeneruar afërsisht 30 milion euro të ardhura në 10 vitet e fundit dhe 4.5 milion euro fitime.
Vëllai i kryebashkiakut rezulton të ketë një duplex në zonën e Kodra e Diellit pasuri të patundshme me sipërfaqe 112 m2 dhe një vilë në bregdetin e Qerretit me sipërfaqe trualli 446 m2 dhe ndërtesë 80 m2. Arbër Veliaj jeton së fundi mes Tiranës dhe Vienës, ku dhe ka themeluar aty dy kompani të tjera “Gogel GMBH” dhe “Reg Investitions GMBH”.
“Deri në vitin 2013 kompania që ka blerë me 1 mijë euro Arbër Veliaj kishte një xhiro normale, por çuditërisht në vitin që Erion Veliaj kandidon dhe zgjidhet kryetar i bashkisë ai nis të shumëfishojë xhiron dhe ka xhiruar në total 30 milion euro në 10 vjet. Kush është ky biznesmen kaq i rëndësishëm që bën këtë xhiro befas nga hiçi?! Dhe në këtë rast është vëllai i kryetarit të Bashkisë Tiranë dhe ai me kompaninë e tij është personi kyç që shpërndan reklamat në mediat në vend. Është personi kyç që përfiton dhe paguhet nga kompani që përfitojnë tendera publikë.” thotë drejtuesi i qarkut për Tiranën në Partinë Demokratike Belind Këlliçi.
SPAK ka kërkuar ushtrimin e kontrollit dhe për kompaninë e mikut të kryetarit të Bashkisë Tiranë, Elman Abule. Biznesmeni Abule rezulton të zotërojë në total 6 kompani në Shqipëri, kryesisht në fushën e përpunimit të metaleve, centraleve elektrike dhe ndërtimit.
Nga bilancet e depozituara pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit, duket sikur këto kompani qarkullojnë dhe xhirojnë paratë e njëra-tjetrës, por nuk rezultojnë me fitim. Shumica e tyre rezultojnë me humbje. Ajo që lidh fijet, e shtetasit Elman Abule, me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, është kompania Fidalba, e themeluar që në vitin 2011, por që në vitet e para nuk ka ushtruar aktivitet, ndërsa më datën 10 janar 2024 firma në pronësi të shtetasit Elman Abule, është subjekti ndërtues dhe zhvillues për një pallat 7-katësh në zonën e Kombinatit në pronë të Keid Kalaja dhe Burgen Strati.
Leja e ndërtimit në këtë lulishte për të ndërtuar pallat është dhënë nga kreu i bashkisë Tiranë Erion Veliaj, ndërsa më parë u kishte refuzuar kërkesën e banorëve të rrugës Llambi Bonata për të ndërtuar aty pallatin që do të shërbente për të strehuar familjet e dëmtuara nga tërmeti i nëntorit 2019 pas prishjes së banesave të tyre, me argumentin se toka kishte statusin e lulishtes.
Procedurat e ndjekura nga SPAK familjarët e Erion Veliajt i ankimuan në Gjykatën e Posaçme, por me sa duket beteja me drejtësinë e re është e fortë, pasi shkalla e parë vendosi të lerë në fuqi vendimin për kontrollin e banesës së Arbër Veliaj dhe rrëzoi kërkesën e Xoxës për kthimin e telefonit. Në një tjetër kërkesë të paraqitur në Gjykatën e Apelit të Posaçëm, avokatët mbrojtës kanë kërkuar rrëzimin e kontrolleve të ushtruara nga oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit me pretendimin se janë bërë në shkelje të procedurave dhe në mungesë të një shkaku të ligjshëm. Ditën e hënë, bashkëshortja e kreut të Bashkisë Tiranë është marrë në pyetje për 3 orë nga prokurorët e SPAK në lidhje me procesin hetimor që ata kanë hapur për pasurinë dhe përfitimet e rrethit të afërt familjar të kryebashkiakut.
Burimi /MCN TV