Sektori për Punë të Brendshme – Shkup, në koordinim me Prokurorinë Themelore Publike – Shkup, po ndërmerr veprime pas brohoritjeve të djeshme – “Ilirida” në ndeshjen Shkendija-Karabak në arenën “Todor Proeski”, transmeton Portalb.mk.
“Ju informojmë se SPB Shkup, bazuar në materialin e regjistruar dhe të dokumentuar, po merr masa në koordinim me prokurorin publik kompetent”, thonë nga MPB.
Gjatë transmetimit të ndeshjes, dëgjohen thirrje “Ilirida”. Sipas mediave maqedonase Ilirida është emër i një koncepti politik “të një pjese të shqiptarëve në Maqedoni që nënkupton formimin e një republike të pavarur” në territorin e pjesës perëndimore të vendit.
Ky është rasti i dytë për prokurorët dhe policinë, pas incidentit në Kumanovë, për të cilin prokuroria lokale nisi procedurat pas brohoritjeve antishqiptare, ku në një ndeshje basketbolli në Ilinden, nga tribunat u dëgjuan thirrje sikurse “shqiptar i mirë është shqiptar i vdekur”, “dhoma gazi për shqiptarët”, “Maqedoni e pastër”.
Për ngjarjen në Kumanovë, Prokuroria kërkoi pamjet e kamerave të mbikëqyrjes, dhe policia tashmë ka arrestuar një person që u përpoq të sillte një banderolë me përmbajtje fyese.
Incidenti u përsërit dje, megjithëse policia njoftoi dënime të rrepta për këdo që përhap fyerje ose intolerancë nga tribunat sportive.