Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, i është përgjigjur zyrtarit partiak, Enver Hoxhajt, i cili kërkoi shtyrjen e Konventës së Jashtëzakonshme për zgjedhjen e kryetarit të ri, pas dorëheqjes së Memli Krasniqit.
Sipas Çitakut, neni 35 i Statutit të Partisë e përcakton se në rast të dorëheqjes së kryetarit, Konventa e Jashtzakonshme duhet të thirret brenda pesë ditësh.
Për këtë, Çitaku thotë për KosovaPress se inkurajojnë dhe mirëpresin garën e brendshme të secilit anëtar apo anëtare që i plotëson kriteret e përcaktuara me statut.
“Në mbledhjen e fundit të Kryesisë, pas dorëheqjes së Kryetarit Memli Krasniqi, Kryesia vendosi të thërrasë Konventën e Jashtëzakonshme, e cila, bazuar në nenin 35 të Statutit të Partisë, duhet të mbahet brenda pesë ditësh. Ne e inkurajojmë dhe e mirëpresim garën e brendshme. Çdo anëtar apo anëtare që i plotëson kriteret e përcaktuara me Statut është i mirëseardhur të kandidojë. Gara do ta bënte Konventën edhe më madhështore”, thuhet në përgjigjen e Çitakut për kp.
Anëtari i Kryesisë së PDK-së dhe ish-diplomati, Enver Hoxhaj, të premten kërkoi shtyrje të Konventës së Jashtzakonshme, e cila ishte caktuar të mbahet më 17 nëntor.
Ai ka thënë se një parti serioze nuk mund të mbajë një konventë politike dhe përmbajtjesore në një kohë kaq të shkurtër.
“PDK-ja ka nevojë për drejtim të ri, jo për skema të vjetra; ka nevojë për vizion të ri, jo për ndërrim rolesh. Ky është momenti për t’i hapur rrugën ndryshimit të vërtetë”, ka shkruar ai në rrjetin social “Facebook”.
Megjithatë, Çitaku thekson se është thelbësore që në përfundim të procesit të zgjedhjes së kryetarit të ri të dalin të unifikuar dhe me një platformë të fortë për t’i fituar zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
“Për secilin prej nesh, qofshim në garë ose jo, është thelbësore që në përfundim të këtij procesi të dalim të unifikuar, me vizion të qartë dhe me platformë të fortë për zgjedhjet e përgjithshme që na presin shumë shpejt. Më e rëndësishme se gara e brendshme është fitorja jonë në zgjedhjet parlamentare. Sepse beteja kryesore politike për secilin prej nesh është ajo se kush do të jetë Kryeministri i ardhshëm i Republikës së Kosovës”, thekson ajo.
Kandidaturën për kryetar të PDK-së deri tani e ka shpallur ish-kandidati për kryeministër i kësaj partie, Bedri Hamza.
Më 12 nëntor, Memli Krasniqi, tri ditë pas përfundimit të zgjedhjeve lokale, dha dorëheqje nga posti i kryetarit të PDK-së. Ai tha se preferenca e tij është që kryetar i PDK-së të jetë Bedri Hamza.
