Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg ka reaguar pas një deklaratë të Papa Francesco-s, se ka ardhur koha që Ukrainë të ngrejë “flamurin e bardhë” dhe të nisë negociatat me Rusinë. Sipas Stoltenberg, dorëzimi i Ukrainës nuk është paqe.
“Putini e filloi këtë luftë dhe mund ta përfundojë atë sot. Ukraina, nga ana tjetër, nuk e ka një mundësi të tillë”, tha Stoltenberg dhe u bëri thirrje të gjithë aleatëve që të vazhdojnë të ofrojnë mbështetje ushtarake për Kievin.
Në një deklaratë të mëparshme, Papa Francesco u rikthye për të ripërsëritur parësinë e paqes si vlerë parësore, duke denoncuar edhe një herë tmerrin e luftës “pas së cilës është industria e armëve”.
Deklaratat e Papës janë bërë gjatë një interviste dhënë televizionit italo-zviceran (RSI) të regjistruar në shkurt, por që do të transmetohet më 20 mars.
Duke iu referuar konfliktit në Rrip të Gazës, Papa Françesku tha «Çdo ditë në orën shtatë pasdite telefonoj famullinë e Gazës. 600 njerëz jetojnë atje dhe tregojnë atë që shohin: është një luftë. Dhe luftën e bëjnë dy, jo një. Të papërgjegjshmit janë këta të dy që po bëjnë luftë”.
“Pastaj nuk ka vetëm luftë ushtarake”, nënvizoi Papa, “është lufta guerile, ajo e Hamasit për shembull, një lëvizje që nuk është ushtri”.
Françesku tregoi gjithashtu «U dërgova një letër hebrenjve të Izraelit për të reflektuar mbi këtë situatë. Negocimi nuk është kurrë një dorëzim. Është guximi të mos e çosh vendin drejt vetëvrasjes”.
Koncepti i negociatave u përsërit edhe nga Papa në lidhje me konfliktin në Ukrainë. “Unë besoj se ata që e shohin situatën, ata që mendojnë për njerëzit, ata që kanë guximin të ngrenë flamurin e bardhë dhe të negociojnë janë më të fortë. Dhe sot mund të negociohet me ndihmën e fuqive ndërkombëtare. Fjala negocio është një fjalë e guximshme”, janë këto disa nga fjalitë që ka thënë në mikrofonat e transmetuesit shtetëror zviceran.
“Kur sheh se je i mundur, se gjërat nuk po shkojnë mirë, duhet të kesh guxim për të negociuar. Të vjen turp, por me sa vdekje do të përfundojë? Negocioni në kohë, kërkoni ndonjë vend që të veprojë si ndërmjetës. Sot, për shembull në luftën në Ukrainë, ka shumë që duan të veprojnë si ndërmjetës. Turqia u ofrua për këtë. Dhe të tjera. Mos ki turp të negociosh përpara se gjërat të përkeqësohen”.
Fjalë të cilat ngjallën reagime të menjëhershme dhe që e shtynë zyrën e shtypit të Vatikanit menjëherë më pas të ndërhyjë dhe të sqarojë.
“Papa nuk po kërkon që Kievi të dorëzohet”. “Papa”, thuhet në shënim “përdor termin flamur i bardhë dhe përgjigjet duke marrë imazhin e propozuar nga intervistuesi, për të treguar me të ndërprerjen e armiqësive, armëpushimin e arritur me guximin e negociatave. Diku tjetër në intervistë, duke folur për një situatë tjetër konflikti, por duke iu referuar çdo situate lufte, Papa u shpreh qartë që “Negocimi nuk është kurrë një dorëzim”.
Në fund të gjithçkaje, një koncept tjetër i shprehur nga Papa, janë interesat e tregut të armëve.
“Gjithmonë ka ndonjë situatë gjeografike ose historike që shkakton një luftë… Mund të jetë një luftë që duket e drejtë për arsye praktike. Por pas një lufte është industria e armëve, dhe kjo do të thotë para”.