8.8 C
Skopje
E martë, 15 Tetor, 2024

Struga, Kërçova dhe Haraçina do të aplikojnë për të marrë grante nga Qeveria

Një pjesë e kryetarëve të komunave, e që vijnë nga radhët e BDI-së, do të aplikojnë me projekte për të marrë grante nga thirrja e Qeverisë për gjithsej 250 milionë euro ndihma për komunat. Ajo që BDI e quan qeverinë jolegjitime dhe monoetnike, nuk paraqet pengesë për të aplikuar për mjete, pasi siç thonë, projektet janë në interes të qytetarëve. Kryetari i Haraçinës Ridvan Ibrahimi, pret që komunës që ai drejton do t’i takojnë diku mbi 500 mijë euro.

“Ne thirrjen e kemi përcjellë. Kemi ndarë një pjesë të atyre, meqenëse jemi të limituar. Fillimisht nga ana e Qeverisë patëm premtimin që për kokë banori të jetë diku mbi 135 euro. Më pastaj ajo u minimizua në 100. Herën e dytë informacioni ishte se 50, dhe e fundit është 44 euro për kokë banori. Kështu që mbi 500 mijë euro komuna jonë do të ketë mundësi të realizojë projekte. Kërkesat mendoj se janë shumë më të mëdha, por ne kemi selektuar disa që janë më me prioritet dhe këtë do ta shfrytëzojmë”, tha për TV21, Ridvan Ibrahimi – kryetar i Komunës së Haraçinës.

Pyetëm edhe Ramiz Merkon, kryetarin e komunës së Strugës. Edhe ai ka projekte të gatshme dhe të kompletuara dhe do të aplikojnë. Strugës, si pjesë e fazës së parë i takojnë 2.25 milionë euro.

“Për aq sa kanë përcaktuar për kokë banori, Strugës për fazën e parë në 100 milionëshin janë ndarë 2.25 milionë euro dhe për të njëjtat do të aplikojmë në infrastrukturë. Kemi projekte të gatshme kështu që në këtë drejtim jemi të kompletuar. Ne nuk shohim Qeverinë. Ne shohim të krijojmë kushte sa më të mira për banorët e Qytetit”, deklaroi për TV21, Ramiz Merko – kryetar i Komunës së Strugës.

Për grante do të aplikojë edhe komuna e Kërçovës. Asaj i takojnë 1.7 milion euro dhe do të aplikojnë me projekte në fushën e arsimit, infrastrukturës dhe parqeve. Nga atje ankohen se shuma e përllogaritur është bërë vetëm në bazë të banorëve rezident.“Jemi përcaktuar për gjashtë projekte të cilat kapin vlerën e paraparë sipas kritereve që ka përcaktuar qeveria në këtë rast për kokë banori, banorët rezident. Vlenë të theksohet se nuk janë të përfshirë banorët jorezident. Kjo shifër është diku rreth 1 milion e 700 mijë euro. Ne si kryetarë komunash jemi të zgjedhur për të fituar sa më shumë fonde në interes të realizimit të projekteve të qytetarëve e jo për të refuzuar fonde”, potencoi për TV21, Fatmir Dehari – kryetar i Komunës së Kërçovës.

Në një komunikatë me shkrim, koalicioni VLEN u ka bërë thirrje edhe kryetarët e komunave nga radhët e BDI-së që të aplikojnë, me premtim se nuk do t’i diskriminojnë. Përndryshe Qeveria fillimisht ka ndarë vetëm 6 miliardë denarë, apo rreth 100 milionë euro për të ndihmuar komunat me projekte, ndërsa ndihma e përgjithshme do të jetë gjithsej 15 miliardë denarë. Komunat do të mund të aplikojnë për çerdhe të reja, shkolla, rrugë, kanalizim atmosferik apo fekal, salla sporti, rrjete të ujësjellësit apo projekte të tjera.

Të ngjajshme

Të fundit