20.8 C
Skopje
E hënë, 10 Gusht, 2026

Struga nën hijen e pazareve të reja politike – Ahmeti, Taravari dhe deri te heshtja e Selës ?!

Në një zhvillim befasues politik, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, duket se ka vendosur ta përkrahë Arben Taravarin në garën për Strugën, duke lënë të kuptohet se raportet e partisë në këtë komunë po lëkunden ndjeshëm, informon POPULLI.mk

Burime të afërta me strukturat lokale flasin për Garip Kabën si një kandidat potencial për Strugën. Në këtë rikonfigurim të pazakontë, ish-ministri Jeton Shaqiri rrezikon të mbetet jashtë loje, një sinjal i qartë se prioritetet dhe aleancat brenda BDI-së po ndryshojnë.

Pyetjet që ngrihen janë të shumta, si; çfarë do të ndodhë me Ziadin Selën, partnerin e deritanishëm të Ali Ahmetit në këtë zonë? A do të ndjehet i lënë anash dhe a do të kërkojë kompensim me një post në Qeverinë aktuale për ta justifikuar këtë “zhgënjim”?

Nga ana tjetër, përkrahja e Ahmetit për Taravarin, tashmë një figurë opozitare, nuk ndalet vetëm në Strugë. Informacionet e fundit na tregojnë se i njëjti model po tentohet edhe në komuna të tjera, ku Taravari ka ndikim, siç është në Gostivar dhe Vrapçisht.

Kjo ka bërë që zërat për përçarje brenda BDI-së të forcohen, me anëtarë të pakënaqur që ndihen të tradhtuar nga drejtuesi i partisë.

Nëse ky trend vazhdon, zgjedhjet e ardhshme mund të sjellin jo vetëm përmbysje lokale, por edhe një ndarje të re në skenën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut. / © POPULLI.mk