27.8 C
Skopje
E hënë, 16 Qershor, 2025

Tabaku: Zgjedhjet, pengesë për integrimin europian

Parlamenti, jo si zakonisht, u mblodh këtë të hënë në orën 13:00, për të diskutuar vetëm një projektligj, performancën energjitike të ndërtesave.

Edhe pse temperaturat në këtë ditë të nxehtë qershori shënonin mbi 30 gradë Celsius, temperatura e debatit brenda sallës ishte shumë më e ulët.

Kjo seancë i mërziti shpejt deputetët, aq sa shumica prej tyre i lanë karriget bosh dhe i zhvendosën bisedat politike në kafenetë pranë parlamentit.

Një shkëndijë debati solli kërkesa e kryetarit të grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, që në sallë për prezantimin e projektligjit të ishte vetë ministrja e Energjitikës, Belinda Balluku.

“Ndërprisni seancën, flisni me Zegjinë Ballukun ku ndodhet në këto momente dhe të vijë në seancë, nuk ka pse të fshihet se nuk mund të fshihet gjatë”, tha Bardhi.

Por edhe pas kundërshtimeve të opozitës, projektligji u prezantua nga ministri për marrëdhëniet me parlamentin, Taulant Balla.

“Në themel të këtij projektligji, të dashur qytetarë, qëndron edhe plani ynë kombëtar për rinovimin e ndërtesave dhe synojmë transformimin e të gjithë stokut të ndërtesave publike dhe private për t’i kthyer në 20 vitet e ardhshme në konsum minimal energjie.”

Jorida Tabaku riktheu përplasjet për zgjedhjet e 11 majit.

“Elementi i parë duhet patjetër të jenë zgjedhjet, jo vetëm denoncimi, jo vetëm marrja e masave, po ngritja e shqetësimit të zgjedhjeve si një shqetësim, cili sot pengon rrugën europiane të Shqipërisë.”

Por këto fjalime ishin jo shumë të rëndësishme për shumicën e deputetëve, pasi nga 140, mbetën vetëm 20 deputetë në sallë, dhe i vetmi rresht tavolinash që ishte i mbushur ishte ai i opozitës.

Përballë fjalimeve sa teknike e politike, shumë deputetë e shtynë kohën në forma të ndryshme, me telefon, duke bërë foto, duke shkëmbyer batuta mes tyre, madje ndonjëri edhe duke luajtur me mjete rrethanore.

Zbrazja solli edhe qetësi, por Flamur Noka mendoi ta prishte disi atë.

Ai ra më shumë në sy nga mungesa e liderit Berisha, por zhurma e Nokës nuk prodhoi të njëjtin efekt të Berishës.

Kryeparlamentarja Spiropali ishte fare indiferente.

Seanca e kësaj të hëne nuk ndryshoi shumë nga të shkuarat, por ishte më e vakët, sikur paralajmëronte afrimin e pushimeve të verës.

Klan News

Të ngjajshme

Të fundit