30.8 C
Skopje
E enjte, 13 Gusht, 2026

Tahiri: Deputetët e Aleancës dhe PDK-së nuk penguan askënd, por mbrojtën Kuvendin

Shefi i grupit parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri tha se komunikata e Kuvendit, ku u tha se deputetët e PDK-së dhe të Aleancës penguan vizitat e mërgimtarëve në sallën kryesore, u shkrua “me diktat” nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Kënd e kemi pengu ne? Çka mendojnë? Që mundet me ardhë dikush në Parlament të Kosovës e me thënë ‘po e pushkatoj Ramush Haradinajn’ a? Kah je nisë? E me e ofendu një deputete të re, të një familjeje të jashtëzakonshme a?”, tha ai në një konferencë për media, duke iu referuar thirrjes së një personi për pushkatimin e Ramush Haradinajt, dhe një tjetri që ofendoi deputetët opozitarë.

“Po tepër kanë duru deputetët”, shtoi Tahiri.

Ai tha se s’mund t’ia mësyjë më askush Kuvendi për ta fyer nga aty “një figurë kombëtare” apo “një deputet”.

“Të mos ia mësyjë kurrkush të vijë në seancë të Parlamentit dhe ta ofendojë një figurë kombëtare dhe një deputet çfarëdo që është”, tha ai.

“Ai ka qenë akt që i ka dhënë marre kësaj seance, e që do të shihet prej hetimit se a ka qenë me institucion apo jo”, tha Tahiri.

Ajo që ndodhi dje në Kuvend, Tahiri tha se “ka qenë me ofendu secilin deputet në formën dhe mënyrën më të ulët të mundshme”.

“Kjo nuk guxon me ndodhë më në Kuvend, dhe s’do të ndodhë më”, tha ai.