24.8 C
Skopje
E diel, 9 Gusht, 2026

Taravari afrohet me BDI-në, Sela me Qeverinë!

Burime të POPULLI.mk bëjnë me dije se bisedimet për përfshirjen e Ziadin Selës dhe Aleancës për Shqiptarët në shumicën qeveritare janë intensifikuar në ditët e fundit. Dëshpërimi nga pozicionimi në Frontin Europian ka shtyrë Selën të ndërmarrë hapa konkretë për inkuadrim në Qeveri, duke kërkuar rol aktiv në proceset vendimmarrëse.

Në anën tjetër, Ali Ahmeti dhe Arben Taravari thuhet se kanë arritur një marrëveshje paraprake për ndarjen e disa komunave me rëndësi. Struga, një nga bastionet tradicionale të Selës, pritet t’i takojë Taravarit në kuadër të riformatimit të pushtetit lokal, bashkë me disa komuna të tjera që do të përcaktohen në ditët në vijim.

Ndërkohë, edhe deputetë të tjerë nga Fronti Europian raportohet se janë afër marrëveshjes për t’u bërë pjesë e shumicës qeveritare, duke rritur më tej kohezionin brenda koalicionit. Nuk përjashtohet as mundësia që Bejxhan Iljas, një tjetër figurë nga spektri politik turk, t’i bashkohet Qeverisë, duke i dhënë kështu më shumë stabilitet shumicës parlamentare.

Zhvillimet janë në rrjedhë e sipër dhe ditët në vijim priten të jenë vendimtare për përbërjen politike në vend. / © POPULLI.mk