Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka bërë një deklaratë të fortë ndaj liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, duke kërkuar dorëheqjen e tij të menjëhershme nga jeta politike, informon POPULLI.mk
Në një analizë të gjatë, Taravari thekson se karriera politike e Ahmetit ka arritur fundin dhe se përpjekjet e tij për t’i shpëtuar drejtësisë janë të rrezikshme dhe turpëruese për kombin shqiptar.
“Nëse morali politik i z. Ahmeti do të funksiononte, ai do të ishte dorëhequr që kur kupola e partisë së tij përfundoi në arrati dhe është në kërkim ndërkombëtar. Por është luks i tepruar të kërkosh ndërgjegje politike nga ai,” – shprehet Taravari.
Ai rendit disa argumente kryesore që sipas tij e bëjnë të domosdoshme largimin e Ahmetit:
Abuzimi me pushtetin, duke ndihmuar pasurimin e pandershëm të vetes dhe familjes së tij.
Mbajtja peng e shqiptarëve për dekada, duke i detyruar të zgjedhin mes punësimit ose emigrimit.
Drejtimi i një partie me bashkëpunëtorë në kërkim ndërkombëtar, të akuzuar për korrupsion dhe krime të rënda.
Fushata anti-Kurti në Kosovë, ku Ahmeti u angazhua për të dëmtuar politikisht Kryeministrin Albin Kurti, duke përdorur narrativa të rrezikshme.
Sipas Taravarit, Ahmeti nuk mund të sakrifikojë më shqiptarët për të mbrojtur veten nga drejtësia.
“Ky njeri që na dinte për dele, që për 23 vjet u pasurua në kurriz të popullit, tani duhet të kuptojë se ai mund të jetë bari, por ne nuk jemi dele! Jep dorëheqjen! Je ‘non grata’ për shqiptarët!”
Kjo deklaratë vjen në një moment kritik për skenën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, duke nxitur reagime të shumta. / © POPULLI.mk