28.8 C
Skopje
E martë, 17 Qershor, 2025

Taravari e kërkon Gostivarin në prehrin e Ahmetit, struktura e ASH-së preferon Valbon Limanin!

Në prag të zgjedhjeve lokale, skena politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut po tronditet nga zhvillime të papritura, informon POPULLI.mk

Arben Taravari, lideri aktual i krahut të ASH-së që nuk është pjesë e Frontit Europian, thuhet se ka shprehur synimin për të kandiduar sërish për kryetar të komunës së Gostivarit. Por këtë herë, në vend të një platforme opozitare si në të kaluarën, ai po kërkon mbështetje nga vetë lideri i BDI-së, Ali Ahmeti me të cilin do të takohet sot, sipas informacioneve që kemi marrë.

Ky veprim i Taravarit ka shkaktuar pakënaqësi brenda vetë strukturës së mbetur të ASH-së që ai drejton. Një pjesë e konsiderueshme e bashkëpunëtorëve dhe aktivistëve lokalë nuk e mbështesin rikandidimin personal të tij dhe përkrahin një figurë tjetër – Valbon Limanin – si alternativë më të qëndrueshme dhe përfaqësuese për Gostivarin.

A do të arrijë ta mbajë të bashkuar strukturën e tij të brishtë politike? A do të jetë në gjendje të imponojë veten si kandidat unik në një kohë kur pjesa më e madhe e ASH-së kërkon ndryshim? Apo gjithçka do të shpërbëhet përballë një pazaresh të fshehta politike me BDI-në?

Mbështetja e mundshme nga Ali Ahmeti mund të jetë shpëtim për Taravarin, por njëkohësisht edhe fundi i pavarësisë së tij politike. Nëse BDI vendos ta ndihmojë, kjo mund të shërbejë si një përpjekje për ta zbehur ndikimin e Selës në skenën politike shqiptare dhe për ta copëtuar përfundimisht.

Në këtë mes, një emër nuk mund të anashkalohet, Ziadin Sela. A është ky një plan për ta përjashtuar përfundimisht Selën nga loja politike? Dhe më e rëndësishmja, a do të tradhtohet Sela nga pikërisht ai që dikur e kishte bashkëudhëtar politik?

E vetmja gjë që dihet me siguri është se Gostivari po kthehet në një betejë jo vetëm politike, por edhe personale – mes idealit dhe interesit, mes koalicionit dhe kompromisit. Dhe çmimi për këtë betejë, do të paguhet në vota. / © POPULLI.mk

Të ngjajshme

Të fundit