Bashkëpunimi i Arben Taravarit me Ali Ahmetin ka hapur dilema serioze politike dhe morale. Pyetja që lind natyrshëm është, a e afron ky bashkëpunim Taravarin më shumë drejt një orientimi pro-serb apo pro-rus, qoftë edhe në mënyrë indirekte?
Kjo dilemë bëhet edhe më e fortë kur vetë Taravari ka deklaruar publikisht se Ali Ahmeti ka më shumë raporte me Aleksandar Vuçiqin sesa me Albin Kurtin, duke e vendosur kështu BDI-në në një bosht të qartë politik rajonal që nuk përkon me interesin kombëtar shqiptar.
Më tej, Taravari ka shkuar edhe më larg, duke thënë se Ahmetit ia fal të gjitha krimet dhe korrupsionet e 20 viteve qeverisje, por jo edhe faktin se ia ka hapur dyert Serbisë përmes projektit “Ballkani i Hapur”. Pikërisht këtu lind kontradikta kryesore. Nëse “Ballkani i Hapur” dhe afrimi me Serbinë janë vijë e kuqe, atëherë si justifikohet sot bashkëpunimi me njeriun që, sipas vetë Taravarit, e ka shtyrë këtë projekt?
Pra, pyetja thelbësore mbetet se a po mbështet Taravari një projekt dhe një figurë politike që ka lidhje direkte me Serbinë, apo po e relativizon këtë çështje për interesa momentale politike? Dhe më tej, a është ky bashkëpunim një përpjekje për të përfituar nga të njëjtat projekte dhe struktura, për të cilat më parë e ka akuzuar Ali Ahmetin?
Këto janë pyetje që kërkojnë përgjigje të qarta, sepse politika nuk mund të ndërtohet njëherë mbi akuza të rënda e herën tjetër mbi harresë selektive. Në fund, koherenca politike është po aq e rëndësishme sa edhe qëndrimi kombëtar.
