Dorëheqja e Salim Sulejmanit nga të gjitha funksionet në Aleancën për Shqiptarët dhe nga mandati i deputetit ka shënuar një kthesë të rëndësishme në skenën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Me largimin e tij, Taravari ka mbetur pa grup parlamentar, duke e nxjerrë në pah krizën e thellë të përfaqësimit në ASH, informon POPULLI.mk
Sulejmani u largua me dinjitet dhe mesazh të qartë: nuk pranoi të shndërrohej në patericë të BDI-së dhe të bëhej pjesë e lojërave të vjetra politike që qytetarët shqiptarë i kanë refuzuar me votë. Ai konfirmoi se Aleanca për Shqiptarët ka devijuar nga rruga për të cilën u krijua koalicioni VLEN, duke u afruar hapur me strukturat që për vite me radhë kanë keqqeverisur.
Ky zhvillim dëshmon dështimin e plotë të Taravarit për të ruajtur një identitet politik të qartë dhe për të mbajtur bashkë ekipin e tij. Pyetja që lind natyrshëm është kush është i radhës për t’u larguar nga ASh? A po shembet përfundimisht një strukturë që dikur premtonte ndryshim?
Ndërkohë, VLEN vazhdon të forcohet. Me zëvendësimin e Sulejmanit nga Dr. Valbona Adili Emini, koalicioni arrin në 10 deputetë dhe konfirmon rolin e tij si shtyllë e rëndësishme e shumicës parlamentare dhe alternativë e re për shqiptarët në vend.
Ndërsa njëra palë bie, tjetra ngrihet. E ardhmja po formësohet – dhe ajo duket se i përket forcave që sjellin shpresë, jo atyre që ripërsërisin të shkuarën. / © POPULLI.mk