Shkruan: Xhelal Zejneli
Krimet serbe ndaj shqiptarëve gjatë luftërave ballkanike përfshijnë vrasjet masive,
masakrimet, pastrimin etnik, kthimin e dhunshëm në fenë ortodokse dhe persekutimin apo
dëbimin e shqiptarëve.
Qëndrimi ndaj shqiptarëve si komb deri në fund të luftërave ballkanike – Ka që
thonë se kancelari gjerman Oto fon Bizmark (Otto von Bismarck, 1815-1898) gjatë
Kongresit të Berlinit (1878) paskësh thënë se kombi shqiptar nuk ekziston. Por, ka edhe
historianë që thonë se Bizmarku nuk ka thënë diç të tillë për shqiptarët.
Në raportin e korrespondentit të Associated Press, autor i librit “Gjurmë ballkanike”
(The Balkan Trail, Londër, 1906, faqe 296), Frederik Ferdinand Mur (Frederick Ferdinand
Moore) shqiptarët janë quajtur “racë malore primitive”.
Me përjashtim të socialistëve apo të socialdemokratëve, në Serbi ka mbizotëruar
mendimi se “shqiptarët nuk janë popull përfundimisht i formuar; ata janë një grumbull fisesh
që janë në konflikt ndër vete, gjithkund të përzier me serbë dhe grekë”.
* * *
Fundi i luftërave ballkanike dhe pasojat e tyre për shqiptarët – Sipas autorëve serbë,
gjatë luftërave ballkanike “shqiptarët kanë luftuar kundër aleatëve ballkanikë; në këto luftëra
shpeshherë kanë luajtur rol më të madh se ushtarët e Perandorisë Osmane”. Faza e parë e
luftërave ballkanike përfundon me armëpushimin e nënshkruar më 3 dhjetor 1912. Aleatët
ballkanikë i kanë zotëruar pothuajse të gjitha territoret e deriatëhershme të Perandorisë
Osmane në Ballkan. Tani midis tyre fillon ndarja e territoreve. Për shkak të aspiratave të veta
për këto territore, një zhvillim i këtillë i ngjarjeve nuk u përgjigjej shteteve të caktuara,
sidomos Austro-Hungarisë dhe Italisë. Për këtë arsye, në Konferencën e Ambasadorëve në
Londër në mars të vitit 1913, gjashtë Fuqitë e Mëdha, nën trysninë e Austro-Hungarisë dhe të
Italisë, vendosën në parim për ta formuar shtetin e ri, Principatën e Shqipërisë, “në një pjesë
të territorit të cilin Mali i Zi, Serbia dhe Greqia e kishin pushtuar nga Perandoria Osmane”.
Marrëveshja e paqes e Londrës u nënshkrua më 30 maj 1913. Për territorin që sot përbën
Shqipërinë, do të vendosnin Fuqitë e Mëdha (Austro-Hungaria, Italia, Gjermani, Britania e
Madhe, Franca, Rusia).
Në bazë të dispozitave të Marrëveshjes së paqes të Londrës, më 29 korrik 1913 Fuqitë
e Mëdha e formuan shtetin e ri – Principatën e Shqipërisë dhe i caktuan kufijtë e saj. Pas
kësaj, Mali i Zi, Serbia dhe Greqia u detyruan t’i tërheqin ushtritë e veta nga ato pjesë të
territorit që kishin qenë nën Perandorinë Osmane. Përkundër tërheqjes, aleatët ballkanikë që
ishin fqinjë të shtetit të sapoformuar – Shqipërisë, me nënshkrimin e Marrëveshjes së paqes të
Londrës përfituan territore të mëdha të banuara me popullsi shqiptare. Kufijtë e rinj, njësoj
sikur edhe kufijtë e Evropës së atëhershme, nuk ishin shënuar sipas parimit etnik. Shteti
shqiptar përfshinte më pak se gjysmën e territoreve të banuara me shqiptarë. Më se gjysma e
popullsisë shqiptare mbeti nën pushtimin e Serbisë, të Malit të Zi dhe të Greqisë.
Për t’i hulumtuar krimet e ushtrive serbe, malazeze dhe greke ndaj shqiptarëve,
Sektori për bashkëpunim dhe arsimim i Themelatës Karnegi për Paqe Ndërkombëtare
(Carnegie Endowment for International Peace) formoi një Komision ndërkombëtar për
hetim (International Comission of Inquire). Komisioni kishte për detyrë të hulumtojë
shkaqet dhe ecurinë e luftërave ballkanike. Ky komision veproi edhe në terren. Ai shërbeu si
një prej burimeve të informatave për krimet serbo-malazeze ndaj shqiptarëve.
Komisioni përbëhej:
– nga Franca, senatori Baron d’Eturnel dë Konstan (Baron d’Estournelles de
Constant, 1852-1924) – laureat i çmimit “Nobel” për paqe (1909), si dhe juristi e anëtari i
parlamentit Zhysten Godar (Justin Godart, 1871-1956);
– nga Britania e Madhe, kryeredaktori i revistës The Economist, Frensis Hirst
(Francis Wrigley Hirst, 1873-1953) dhe gazetari Dr. Henri Noel Brailsford (Henry Noel
Brailsford, 1873-1958);
– nga ShBA-ja, Dr. Semjuel Dalton, profesor në Kolexhin e Mësuesisë të
Universitetit Kolumbia;
– nga Gjermania, Dr. Volter Shuking, profesor i drejtësisë në Universitetin e
Marbugut (Maribori i sotëm);
– nga Austro-Hungari, Dr. Jozef Redlih (Josef Redlich, 1869-1936), profesor i të
drejtës publike në Universitetin e Vjenës dhe
– nga Rusia, Pavel Nikolajeviç Milyukov (1859-1943), anëtar i Dumës shtetërore.
* * *
Anëtarët e komisionit udhëtuan nëpër Ballkan që nga fillimi i gushtit deri në fund të
shtatorit. Në terren mblodhën të dhëna, i shënuan bisedat me refugjatët dhe me të dëbuarit, i
fotografuan vendbanimet e djegura, arkivuan dokumente burimore (letra, shpallje, urdhresa,
afishe, komunikata) e të tjera. Me t’u kthyer në Paris, i tërë materiali u përpunua dhe u
publikua në formë të një raporti të hollësishm.
Me rastin e përpjekjes së parë për të hyrë në Serbi, Komisioni i kthye nga kufiri, edhe
pse ardhja e tij ishte paralajmëruar nëpërmjet ambasadës së Serbisë në Paris. Me fjalë të tjera,
autoritet serbe nuk lejuan që Komisioni të hyjë në Serbi. Të dhënat që i kishte grumbulluar
Komisioni, u përfshinë në raportin që u botua në vitin 1914. Me të shpërthyer Lufta I
Botërore, ky raport ra në harresë.
Thelbi i raportit të Komisionit ndërkombëtar për shkaqet dhe zhvillimin e luftërave
ballkanike
Konstatimet e Komisionit ndërkombëtar vërtetuan se gjatë luftërave ballkanike dhe
fill pas mbarimit të tyre, ishin kryer krime të rënda lufte. U konstatua se armët nuk ishin
përdorur vetëm kundër ushtrisë së armikut, por ishin përdorur për të kryer masakër mbi
popullsinë (njerëzve të moshuar, fshatarëve, bujqve, grave dhe fëmijëve) në Kosovë, në viset
shqiptare në Maqedoni dhe në Shqipëri, si dhe në pjesët e Ballkanit ku kishin luftuar ushtritë
e Serbisë, të Malit të Zi, të Bullgarisë, të Greqisë.
Viktima të krimeve të kryera gjatë luftërave ballkanike kanë qenë:
– të burgosurit dhe
– banorët e territoreve të vilajeteve ballkanike të Perandorisë Osmane, të të gjitha
kombësive.
Kryerës të krimeve të kryera gjatë luftërave ballkanike kanë qenë:
– ushtritë serbe, malazeze, greke, bullgare;
– vullnetarët – çetnikët serbë, komitët bullgarë, andartët grekë dhe vullnetarë të tjerë
që nuk kanë qenë në uniformë të ushtrisë së rregullt.
Në raportin e vet për krimet e kryera gjatë luftërave ballkanike ndaj popullsisë civile
të pjesëtarëve të të gjitha bashkësive etnike, midis tjerash Komisioni thekson: “Në vilajetin e
Manastirit të cilin më vonë e ndanë Serbia dhe Greqia, ishin djegur 80% e fshatrave
shqiptare”.
Pas krimeve të kryera, komisioni konstaton në raportin e vet se një numër i madh i
popullsisë së fesë myslimane janë shpërngulur për në Azi.
Krimet ndaj shqiptarëve në luftërat ballkanike – Duke e analizuar situatën në rajonet
shqiptare, anëtarët e Komisionit kanë ardhur në përfundim:
“Shtëpi dhe fshatra të tëra janë bërë hi, popullsia e paarmatosur dhe e pafajshme
është masakruar në mënyrë masive, akte dhune të pabesueshme, plaçkitje dhe mizori të të
gjitha llojeve. Këto janë mjetet që i ka zbatuar dhe që vazhdon t’i zbatojë ushtria serbo-
malazeze, me qëllim të ndryshimit të plotë të karakterit etnik të rajoneve të banuara
përjashtimisht me shqiptarë” – nga Raport i Komisionit ndërkombëtar.
Telegrami special i botuar në The New York Times – Një burim i cituar shpesh për
krimet ndaj shqiptarëve gjatë luftërave ballkanike është botuar më 31 dhjetor të vitit 1912 në
The New York Times. Është një telegram special të cilin një institucion austro-hungarez i
paemërtuar ia dërgon nga Budapesti The Daily Telegraph-it. Në telegram nuk figurojnë emrat
e autorëve “të raporteve hungareze”.
Golgota shqiptare – Në pashkët e viti 1913, publicisti hebraik i lindur në Vjenë Leo
Frojndlih (Leo Freundlich, 1875-1953) boton librin “Golgota shqiptare: Aktakuzë ndaj
shfarosësve të popullit shqiptar“ (Albania’s Golgatha: Indictment the Exterminators of the
Albanian People, Vjenë 1913). Që në faqet e para të librit, autori ngre lart kulturën shqiptare,
flet për intelektualët shqiptarë, për letërsinë shqiptare, për aftësitë e shqiptarëve për të
ushtruar veprimtari ekonomike, për shkathtësitë luftarake të shqiptarëve, për burrat e shtetit,
për gjyqtarët …
Autori i librit vjen në përfundim se “përpjekjet e shtypësve të shqiptarëve që çdo lloj
përparimi të tyre ta parandalojnë duke kryer masakër ndaj tyre, kanë qenë të pasuksesshme“.
Në vazhdim të librit, Leo Frojndlih publikon përmbledhjen e informatave të cituara
dhe të botuara në shtyp, për krimet e serbëve ndaj shqiptarëve në periudhën e viteve 1912-
1913. Leo Frojndlih nuk ka qenë në kontakt personal me shqiptarët, por në vitin 1915, gjatë
Luftës I Botërore, si ushtar i ushtrisë austro-hungareze ka luftuar në Ballkan.
* * *
Raporti i Komisionit të qeverisë franceze – Në korrik të vitit 1913, qeveria franceze
krijoi një komision të përbërë nga Vikonti Herve dy Algue (Vicomte Hervé du Halgouet,
1877-1955) dhe nga koloneli Lepidi (Colonel Lepidi).
Deklararat e komodorit Kardejl – Deklaratat e oficerit të lartë të Marinës Mbretërore
Britanike, të komodorit Kardejl, janë publikuar në disa gazeta britanike.
Burime të tjera informatash, përpos tjerash janë edhe:
– Raporti i konsullit austro-humgarez në Shkup, Fon Vajnrot, dërguar Ministrisë së
Punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë në shkurt të vitit 1913, i cili nuk i përfshin deklaratat
e dëshmitarëve të krimeve, por vetëm shënimet për deklaratat e dhënë prej atyre të cilët për
krimet kishin dëgjuar prej dikujt tjetër, pa nxjerrë prova konkrete për to;
– Raportet e reporterit austro-hungarez të luftës Hermengild Vagner (Hermenegild
Wagner). Këto raporte janë botuar në librin e publicistit Leo Frojndlih;
– Tekstet e botuara nga Instituti i Historisë në Prishtinë;
– Raporti zyrtar i hollësishëm dërguar Fuqive të Mëdha për mizoritë në Dibër, i botuar
në shtypin italian, në ballinën e të cilit shkruan: „Dokumenti është i një rëndësie të madhe të
cilin sapo ia dërgoi qeverisë së njërës prej Fuqive të Mëdha ambasadori i tyre, i cili
personalisht i kishte mbledhur shënimet dhe emrat e vendeve të krimit dhe të terrorit.“
– Tekstet e publikuara nga socialdemokrati serb Dimitrije Tucoviq (1881-1914).
* * *
Thelbi i pohimeve për krimet – Sipas raporteve të botuara në shtypin evropian, në atë
amerikan si dhe në shtypin opozitar serb që janë cekur në librin e publicistit Leo Frojndlih,
gjatë pushtimit të vendbanimeve shqiptare në vitet 1912-1913, ushtria serbe dhe ajo malazeze
kanë kryer krime të shumta mbi popullsinë civile. Leo Frojndlih në librin e vet përmend një
numër të konsiderueshëm raportesh të botuara në shtyp që flasin për vrasjet masive të
popullsisë shqiptare, për shkatërrimet e rënda të qyteteve shqiptare, për djegien e fshatrave,
për plaçkitjen e shtëpive, për therjen e anëtarëve të familjeve, për përdhunimin e grave dhe të
vajzave të mitura si dhe për mizoritë ndaj popullsisë civile. Frojndlih thotë se me rastin e
bastisjes së shtëpive, shtëpiakët shqiptarë janë therur madje edhe atëherë kur në shtëpitë e
tyre nuk janë gjetur armë. Ai shton se robërit shqiptarë kanë qenë të detyruar të marshojnë
qindra kilometra në këmbë. Ndonjërin prej tyre, të rraskapitur nga lodhja, s’e kanë mbajtur
këmbët. Atij ia kanë ngulur bajonetat dhe e kanë lënë rreth rruge që të kalbet. Për vrasjen e
një ushtari serb, sipas pohimeve të publicistit vjenez, janë kryer hakmarrje mbi popullsinë
civile. Në shumë rajone shqiptare, pushtuesit serbë kanë ndërtuar pajisje për varjen e
njerëzve.
Publicisti vjenez Leo Frojndlih (Leo Freundlich) raportet për krimet e luftës të kryera
nga ushtria serbe ndaj shqiptarëve i mori nga shtypi evropian. Ato i përfshiu në librin
“Golgota shqiptare”. Ai thotë se masakrat janë kryer njëra pas tjetrës, sapo ushtria serbe e ka
kaluar kufirin dhe i ka pushtuar territoret e banuara me shqiptarë. Ai shton se ushtria serbe
dhe njësitet çetnike, në rajonet e pushtuara kanë kryer krime ndaj shqiptarëve katolikë dhe
myslimanë.
Gazeta The New York Times e datës 31 dhjetor 1912 i publikon të dhënat e raporteve
austro-hungareze ku thuhet se këto „mizori të tmerrshme janë rezultat i një politike të
paramenduar për shfarosjen e shqiptarëve“.
Leo Frojndlih thotë në librin e tij se gazeta L’Humanité e Parisit e ka publikuar
raportin zyrtar të konsullit francez nga Selaniku në të cilin veprimet serbe në Shqipëri
përshkruhen si plaçkitje, shfarosje dhe masakra.
Sipas Frojndlih, raportuesi i luftës i gazetës daneze Riget, Fric Magnusen (Fritz
Magnussen, 1878-1920) njofton: “Veprimet e ushtrisë serbe në Maqedoni kanë marrë
karakterin e shfarosjes së popullsisë shqiptare”.
Korrespondenti i luftës prej Ballkani, më vonë udhëheqës i njohur i Armatës së kuqe,
Leon Trocki (Lev Davidoviç Bronshtajn, Trotsky; Bereslavka, Ukrainë, 1879 – Meksiko Siti,
1940), në gazetën ruse Luç, në janar të viti 1913 shkruan: “Serbët në Serbinë e Vjetër, për t’i
përmirësuar të dhënat statistikore etnike që nuk janë në favor të tyre, gjatë ekspeditës
shtetërore që kanë ndërmarrë, po e shfarosin popullsinë shqiptare nëpër fshatra, qytete dhe
rrethe të tëra”.
Shënim: Trocki u vra me urdhrin e Josip Stalinit (1879-1953) nga komunisti
spanjoll, agjent i NKVD-së sovjetike, Ramón Merkader (Barcelonë, 1913 – Havanë, 1978).
Merkaderi e goditi Trockin me kazmë. Gjykata meksikane e dënoi me 20 vjet heqje lirie. U
lirua më 6 maj 1960. Pasi e vuajti dënimin në Meksikë, u vendos në Kubë.
* * *
Opozitari serb Kosta Novakoviq i cili ka qenë pjesëtar i korpusit serb që ndërmori
ekspeditë në Shqipëri, thotë: „Gjatë pushtimit, qeveria imperialiste serbe ç’ka nuk u bëri
shqiptarëve“. Novakoviqi thotë: „Shfarosja e shqiptarëve të Kosovës është kryer me qëllim
që ajo të kolonizohet me serbë, përkatësisht të kryhet serbizimi i saj”.
Dimitrije Tucoviqi ia ka bërë me dije opinionit serb: “Është kryer tentim vrasjeje me
paramendim ndaj një kombi të tërë. Kemi të bëjmë me vepër kriminale. Për këtë duhet
mbajtur përgjegjësi”.
Në muajt e parë të pushtimit serb, në një pjesë të Vilajetit të Kosovës ushtria serbe
dhe njësitet çetnike kanë vrarë rreth 25.000 shqiptarë. Kosta Novakoviqi (1886-1938) thotë:
“Në vitet 1912- 1913 në të gjitha territoret shqiptare nën kontrollin serb, ushtria serbe ka
vrarë rreth 120.000 shqiptarë të të dyja gjinive dhe të të gjitha moshave”. Disa studiues të
mëvonshëm të dhënën e Novakoviqit për numrin e të vrarë, e kanë kontestuar.
Sipas njoftimeve të shtypit të huaj të viteve 1912-1913, ushtria serbe ka kryer krime
në shumë fshatra dhe qytete shqiptare.
Më 15 shtator 2023