6.8 C
Skopje
E hënë, 17 Mars, 2025

Thirrja anti-NATO dhe anti-BE e Dodikut në Shkup

Thirrja anti-NATO dhe anti-BE e Dodikut në Shkup

Ditëve të fundit ishim dëshmitarë se Maqedonia e Veriut, konkretisht zv.kryeministri serb në qeveri, Ivan Stoilkoviç ishte mikpritës i Miloard Dodikut me rastin e festës kombëtare të komunitetit serb në vend (Shën Sava), e cila u shënua me një manifestim që më pas mori kahje degraduese.

Lideri radikal i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, i cili njëkohësisht konsiderohet edhe mosrespektues i Marrëveshjes së Dejtonit, mbajti fjalim fyes ndaj vlerave eurointegruese dhe nxitje anti-NATO ne një vend anëtar të NATO-s. Duke vepruar kështu, ai zhvilloi skenarin e tij të zakonshëm me një aluzion mbështetjeje për mikpritësin (Ivan Stoilkoviçin), duke dënuar politikën e BE-së ndaj vendit tonë.

Një gjë duhet kuptuar qartë se figurat si Milorad Dodiku nuk janë mysafirë që i përshtaten Maqedonisë së Veriut. Synimet strategjike të vendit tonë në politikën e jashtme janë NATO dhe BE, për të cilat luftojmë për më shumë se tre dekada dhe për të cilat kemi bërë shumë sakrifica. Sot, falë një prej atyre sakrificave, siç është ndryshimi i emrit të vendit, ne jemi një anëtare e respektuar e NATO-s në të cilën kemi një zë të barabartë vendimmarrës si SHBA-ja, Kanadaja, Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe vendet e tjera të botës.

Dodiku, nga ana tjetër, është një person në listën e zezë të SHBA-së, në të cilën ndodhet edhe familja e tij dhe bashkëpunëtorët e shumtë të shënuar si ekzekutues të aktiviteteve korruptive dhe më e rëndësishmja – shkatërrues i Marrëveshjes së Dejtonit dhe kërcënim për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Fakti se kryeministri Mickoski nuk u pajtua me Dodikun për atë se gjatë fjalimit të tij e mohoi gjenocidin në Srebrenicë, foli kundër NATO-s dhe kundër politikave të BE-së, nuk e mbulon skandalin e realizuar nga zëvendësi i tij, pasiqë kjo është një kërcënim për Maqedoninë e Veriut.

Shqetësues është edhe komenti i Ivan Stoilkoviçit, personi i dytë në Qeveri, i cili thotë se nuk ka ndërmend të heqë dorë nga vëllezërit e tij, çfarëdo qofshin ata. Vetë Stoiljkovic është i njohur për mohimin e gjenocidit në Srebrenicë, por nuk ishte problem për të që të merrte një pozitë të lartë në qeverinë maqedonase në një kohë kur sytë e komunitetit ndërkombëtar janë përqendruar te Maqedonia e Veriut dhe vetoja bullgare për negociatat me BE-së.

Bullgaria nuk duhet të bëjë asgjë për të theksuar në fushatën e saj bindëse se Shkupi është qendra e politikave pro-serbe dhe se e kaluara komuniste nuk është kapërcyer ende, por është baza për politikën antibullgare. Pritja e ngrohtë e Dodikut shkon drejt “ujit bullgar”.

Është gjithashtu problematike që Milorad Dodiku është njeriu që qëndron fort pas presidentit rus Vladimir Putin dhe Putini gjithashtu qëndron fort pas Dodikut. Ku është Maqedonia e Veriut në një kombinim të tillë – është një pyetje që meriton një përgjigje nga autoritetet tona, sepse është e pamundur të flirtosh me njerëz si presidenti i Republikës Srpska dhe të presësh që Evropa të na japë një certifikatë për politikat pro-evropiane dhe rezistencë ndaj erërave që fryjnë vazhdimisht nga veriu.

T’i japësh mikrofon Milorad Dodikut është si t’i japësh një mikrofon Putinit. E gjithë BE-ja po përpiqet të zbusë aspiratat e këtij të preferuari të Kremlinit për të ndarë dhe pushtuar një pjesë të Bosnjë dhe Hercegovinës dhe në Shkup i shtruan një tapet të kuq dhe i ndërtuan një skenë për të përhapur retorikën e tij të rrezikshme të mbështjellë me shqetësim hyjnor për Maqedoninë e Veriut. Sikur të mos mjaftonte kjo, në rreshtin e parë në audiencë u ulën përfaqësues të lidershipit më të lartë politik të vendit pritës, të cilëve iu bashkuan edhe qeveria edhe opozita. Kishte edhe zyrtarë të lartë të kishës ortodokse si kreu i saj z. Stefani dhe ne e dimë shumë mirë se një nga parimet e fesë së krishterë është mos vrit dhe mos bëj keq. Në emër të asaj feje të krishterë, do të ishte më e përshtatshme që të paktën të kthente kokën nga njeriu që mohon krimet në Srebrenicë që tronditën mbarë botën.

Prandaj, a do të mundet ndonjë forcë të dënojë qartë dhe pa mëdyshje mesazhet e Dodikut të dërguara nga oborri ynë apo do t’i heshtim? Të heshtësh për çështje të tilla është e barabartë me vetëvrasje politike. Nuk është në rrezik vetëm qeveria dhe opozita, por edhe i gjithë populli i përfaqësuar nga kryeministri, zëvendëskryeministrat dhe ministrat dhe mijëra qytetarë që ndjejnë dhimbje personale nga masakra në Srebrenicë. Nëse bëhet fjalë për të paguar një çmim për ruajtjen e kohezionit qeveritar, ai çmim është shumë i lartë dhe i rrezikshëm për Maqedoninë e Veriut.

Demokracia është një gjë, aftësia për të ruajtur navigimin e zgjuar në politikën e jashtme është një gjë tjetër. Përshtypja është se vendi ynë nuk arrin të mbajë një politikë të jashtme në përputhje me synimet strategjike që ka vendosur që nga pavarësia. Dodiku kishte arsye për të lënë Shkupin i kënaqur dhe për t’u kthyer në kalanë e tij në Republika Srpska në pritje të një telefonate nga Putini për të përmbledhur politikat e tij. Mbetet që Maqedonia e Veriut të mësojë nga gabimet e saj dhe të mësojë se në politikë ekziston edhe arsyetimi “nuk kam kohë të vij” si një mundësi që zyrtarët më të lartë të tregojnë qëndrimin e tyre ndaj personave me të cilët nuk duhet të jenë në të njëjtën ngjarje.

Të ngjajshme

Të fundit