33 C
Skopje
E martë, 21 Korrik, 2026

Tre drejtues të “Komunalec”-it në Gostivar arre’stohen për ndotjen e ujit të pijshëm

Prokuroria Themelore Publike e Gostivarit ka nxjerrë sonte urdhër zyrtar për zhvillimin e procedurës hetimore ndaj tre personave përgjegjës nga NPK “Komunalec” – Gostivar, të dyshuar për vepra të rënda kundër mjedisit dhe ndotje të ujit të pijshëm. Të dyshuarit tashmë janë privuar nga liria, ndërsa hetimi ka zbuluar detaje tronditëse: në sistemin e mbyllur të ujit të pijshëm dyshohet se është futur drejtpërdrejt ujë i ndotur me fekale dhe baktere nga një kanal i hapur, raporton Zyrtare.

Kush janë të dyshuarit dhe si dyshohet se u ndot uji?

Té dyshuar si bashkëkryerës janë:

  • Ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së NPK “Komunalec” – Gostivar;
  • Udhëheqësi teknik i Sektorit për Punë Teknike;
  • Udhëheqësi i Departamentit për Ujësjellës, Kanalizim dhe Punë Ndërtimore.

Kronologjia e ngjarjes sipas Prokurorisë

25 qershor: Sipas Prokurorisë, drejtuesit e dyshuar u kanë dhënë urdhër verbal punonjësve të ndërmarrjes që të vendosin tre pompa zhytëse në një kanal me ujë sipërfaqësor pranë dhomës së tejmbushjes së rezervuarit të ujit të pijshëm, me arsyetimin se po testonin presionin.

16 korrik – Kontrolli policor: Gjatë inspektimit në terren, policia ka konstatuar se dy nga pompat zhytëse ishin ende aktive. Përmes gypave të futur në hapjen e tejmbushjes, ato, sipas hetimit, transportonin drejtpërdrejt ujë të ndotur me baktere koliforme nga kanali i hapur në dhomën e mbyllur të ujit të pijshëm.

Dyshohet kontaminimi i rrjetit kryesor të ujësjellësit

Sipas Prokurorisë, me këtë veprim është shkaktuar përzierja dhe futja e substancave të dëmshme në gypin kryesor që furnizon me ujë të pijshëm gjithë komunën e Gostivarit dhe një pjesë të fshatrave përreth.

Analizat e Institutit të Shëndetit Publik

Me urdhër të prokurorit publik, Instituti i Shëndetit Publik ka kryer analiza laboratorike, të cilat, sipas Prokurorisë, kanë konfirmuar parametra shqetësues të ndotjes.

“Duke pasur parasysh se pasojat e ndotjes nuk mund të eliminohen lehtësisht, prokurori publik vlerësoi se janë plotësuar të gjitha elementet që krijojnë dyshim të bazuar se është kryer vepra penale ‘Vepra të rënda kundër mjedisit jetësor dhe natyrës’, në lidhje me ndotjen e ujit të pijshëm”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore Publike.

Të dyshuarit në ndalim

Të tre drejtuesit e dyshuar të NPK “Komunalec” janë arrestuar dhe ndodhen në stacion policor. Gjatë ditës së nesërme, prokurori publik do të vendosë se çfarë mase sigurie do t’i propozojë gjykatës kompetent të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore të Gostivarit – paraburgim ose masa të tjera kujdesi.