Presidenti amerikan, Donald Trump njoftoi dy takime të njëkohshme të përfaqësuesve të SHBA-së me Rusinë dhe Ukrainën për të negociuar pikat e fundit të diskutueshme të planit të Uashingtonit për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
“Kanë mbetur vetëm disa pika mosmarrëveshjeje”, shkroi republikani në platformën e tij Truth Social.
“Me shpresën e finalizimit të këtij plani paqeje, i kam udhëzuar të Dërguarit tim të Posaçëm Steve Witkoff të takohet me presidentin Putin në Moskë dhe, në të njëjtën kohë, sekretari i Ushtrisë, Dan Driscoll do të takohet me ukrainasit”, postoi Trump, pa specifikuar një kohë për diskutimet.
Nga postimi i Trump nuk ishte e qartë se me kë do të takohej Driscoll.
Trump lë të kuptohet se do të takohet me Putinin dhe Zelenskyn.
Vetë Trump do të mbahet i informuar për progresin, ashtu si edhe zëvendëspresidenti i SHBA-së JD Vance, sekretari i Shtetit Marco Rubio, sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth dhe shefja e shtabit të Trump, Susie Wiles.
Presidenti i SHBA-së shkroi se mezi pret të takohet së shpejti me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe Putinin, “por VETËM kur marrëveshja për t’i dhënë fund kësaj lufte të jetë PËRFUNDIMTARE ose në fazat e saj përfundimtare”.
Nëse Trump synon të takohet me ta individualisht apo të tre bashkë, kjo nuk ishte e qartë nga deklaratat e tij.
