2.8 C
Skopje
E hënë, 19 Janar, 2026

Trump: Nuk mendoj më vetëm për paqen, akuzon Norvegjinë për mosdhënie të Çmimit Nobel

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka shprehur se nuk ndien më përgjegjësi për të menduar vetëm për paqen, në një letër që i ka dërguar kryeministrit të Norvegjisë, Jonas Gahr Store, ku ai përpiqet të justifikojë kërcënimet e tij ndaj Grenlandës.

Letra është shpërndarë gjithashtu në disa ambasada evropiane në Uashington.

Në të, Trump akuzoi Norvegjinë se kishte vendosur të mos ia jepte Çmimin Nobel për Paqen, të cilin ai e konsideronte të merituar për “ndalimin e 8 luftërave”.

Si rezultat, ai tha: “Nuk ndiej më detyrimin të mendoj vetëm për paqen, megjithëse ajo do të jetë gjithmonë mbizotëruese, por tani mund të mendoj për atë që është e mirë dhe e përshtatshme për Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Bëhet e ditur se parlamenti norvegjez emëron pesë anëtarët e Komitetit të Nobelit, por qeveria nuk e zgjedh drejtpërdrejt fituesin, shkkruan the Journal.

Javën e kaluar, fituesja e çmimit, udhëheqësja e opozitës venezueliane, Maria Corina Machado, i dhuroi Trumpit medaljen gjatë një vizite në Shtëpinë e Bardhë, por Komiteti i Nobelit këmbënguli se posedimi i medaljes nuk do të thotë të jesh laureat.
“Pavarësisht se çfarë mund të ndodhë me medaljen, diplomën apo shumën e çmimit, është dhe mbetet laureati origjinal ai që është regjistruar në histori si marrësi i çmimit”, tha komiteti në një deklaratë.
“Edhe nëse medalja ose diploma më vonë bie në zotërim të dikujt tjetër, kjo nuk e ndryshon se kush është vlerësuar me Çmimin Nobel për Paqen”, shtoi ajo.

Në letrën e tij drejtuar Store, Trump përsëriti pohimin se Danimarka, territor i së cilës është Grenlanda, nuk është në gjendje të mbrojë ishullin Arktik, transmeton Sinjali.

“Danimarka nuk mund ta mbrojë atë tokë nga Rusia apo Kina, dhe pse ata kanë një të drejtë pronësie gjithsesi. Nuk ka dokumente të shkruara, vetëm se një anije zbarkoi atje qindra vjet më parë, por edhe ne kishim anije që zbarkuan atje”, tha Trump.

Të ngjajshme

Të fundit