7.8 C
Skopje
E enjte, 15 Janar, 2026

Turqia përsërit mbështetjen për unitetin dhe integritetin territorial të Sirisë

Ankara

Ministria e Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë përsëriti sot mbështetjen për unitetin dhe integritetin territorial të vendit fqinj Sirisë, raporton Anadolu.

Në një konferencë të përjavshme për mediat, burimet e ministrisë thanë se qeveria siriane ka kryer operacion të suksesshëm kundër terrorizmit në Halep, me qëllim rivendosjen e rendit publik dhe sigurimin e jetës së civilëve.

“Qeveria siriane e cila vepron për të siguruar unitetin dhe kohezionin mbi bazën e barazisë ndaj të gjitha grupeve etnike në Siri, ka kryer me sukses një operacion kundër terrorizmit në Halep me qëllim krijimin e rendit publik dhe mbrojtjen e jetëve të qytetarëve të saj”, thanë burimet.

Ata theksuan se Turqia nuk e sheh sigurinë e Sirisë të ndarë nga ajo e saj dhe përsëritën mbështetjen për parimin e “një shtet, një ushtri”.

“Dëshirojmë të përsërisim edhe një herë se e shohim sigurinë e Sirisë si të pandashme nga e jona dhe në përputhje me parimin ‘një shtet, një ushtri’, jemi të gatshëm të mbështesim luftën e Sirisë kundër grupeve terroriste nëse kërkohet kjo mbështetje mbi bazën e unitetit dhe integritetit territorial të vendit”, thonë nga ministria.

Në mars të vitit 2025, presidenca siriane njoftoi një marrëveshje për integrimin e SDF-së në institucionet shtetërore, duke riafirmuar unitetin territorial të vendit dhe duke hedhur poshtë çdo përpjekje për ndarje.

Në prill të vitit të kaluar, autoritetet siriane nënshkruan marrëveshje të veçantë për lagjet Sheikh Maqsoud dhe Ashrafieh të Halepit, duke përcaktuar që të dyja të mbeten pjesë administrative të qytetit, duke respektuar veçoritë e tyre lokale.

Marrëveshja përfshinte ndalimin e manifestimeve të armatosura, kufizimin e armëve vetëm për forcat e sigurisë së brendshme dhe tërheqjen e SDF-së në zonat lindore të lumit Eufrat në Sirinë verilindore.

Megjithatë, autoritetet thanë se SDF-ja nuk ka përmbushur kushtet e këtyre marrëveshjeve.

Qeveria siriane ka intensifikuar përpjekjet për të rivendosur sigurinë në të gjithë vendin që nga rrëzimi i regjimit të Assadit në dhjetor 2024, pas 24 vitesh në pushtet.

Të ngjajshme

Të fundit