15.8 C
Skopje
E hënë, 16 Shtator, 2024

U dogjën kimikate në zjarrin në Falishe të Tetovës, rekomandim nga kompetentët të mos dilet nga shtëpia

Në zjarrin në depon e kompanisë Eurokom në afërsi të Falishës në Tetovë janë djegur ngjyra dhe llaqe dhe lloje të tjera kimikatesh, andaj kompetentët kanë rekomanduar që në atë pjesë të Tetovës të kufizohet lëvizja,  qytetarët të qëndrojnë në shtëpi dhe me dritare të mbyllura.  Sipas ekspertëve, djegia e materialeve të tilla krijon gazra helmues dhe të dëmshëm në ajër.

“Për momentin kemi monoksid karboni, dioksid karboni, zjarrfikësit janë të ekspozuar. Dioksinat dhe furanet janë substanca të rrezikshme, substanca të dëmshme. Rekomandimi ynë është që pa nevojë të mos kalohet andej dhe në distancë prej dy kilometrash njerëzit të qëndrojnë në shtëpitë e tyre. Pastaj do të kontrollohet uji dhe toka”, deklaroi dr. Ratko Davidovski nga Qendra për Shëndet Publik ekipi i së cilës ishte në vendin e ngjarjes.

Drejtori i Qendrës për menaxhim me kriza, Stojançe Angelov, tha se ka kërkuar ndihmën e Armatës që sa më parë të hetojë sa është ndotja nga zjarri i sasive të mëdha të substancave kimike.

Komandanti i zjarrfikësve të Tetovës, Avni Ameti, ka bërë të ditur se zjarri është penguar të përhapet në një objekt tjetër afër depos, zjarri tashmë është vënë nën kontroll.

Zjarri në depon e kompanisë ka rënë mëngjesin e sotëm rreth orës 10:00.

Të ngjajshme

Të fundit