Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, tha të mërkurën se vendi do të vazhdojë të përgjigjet ndaj sulmeve izraelite dhe se kurrë nuk do të negociojë me Izraelin, shkruan Anadolu.
“Duhet t’i përgjigjemi me forcë regjimit terrorist sionist. Nuk do t’u tregojmë mëshirë sionistëve”, tha Khamenei në një deklaratë në X.
Të martën, presidenti amerikan Donald Trump tha se Uashingtoni e di “saktësisht” se ku ndodhet Khamenei, duke shtuar se ai është i sigurt “për momentin”, por paralajmëroi se “durimi ynë po shteron”.
Tensionet rajonale janë rritur që nga e premtja, kur Izraeli kreu sulme ajrore në disa pika në të gjithë Iranin, përfshirë objekte ushtarake dhe bërthamore, duke nxitur Teheranin të ndërmarrë sulme hakmarrëse.
Autoritetet izraelite kanë thënë se të paktën 24 persona janë vrarë dhe qindra janë plagosur nga sulmet me raketa iraniane.
Irani, nga ana tjetër, ka thënë se të paktën 224 persona janë vrarë dhe më shumë se 1.000 janë plagosur nga sulmet izraelite.