31.8 C
Skopje
E mërkurë, 3 Shtator, 2025

UEJL me rektor të ri, Abdylmenaf Bexheti ia dorëzon stafetën Sadudin Ibrahimit

Pas shtatë vitesh në krye të Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë, largohet Abdylmenaf Bexheti dhe në vend të tij do të jetë Sadudin Ibrahimi. Me këtë rast në praninë e përfaqësuesve të korit diplomatik, rektorëve të universiteteve nga vendi, Shqipëria dhe Kosova, personaliteteve të jetës shoqërore e të biznesit, familjarëve, stafit akademik dhe studentëve, në Universitetin e Evropës Juglindore u mbajt ceremonia solemne e inaugurimit të rektorit të ri, Sadudin Ibraimi.

Në fjalën e tij përshëndetëse, kryetari i Bordit të UEJL-së, profesor Klaus Tochtermann, theksoi se para se të përqafohet e ardhmja, duhet të shprehet mirënjohje e thellë për rektorin e deritanishëm, Abdylmenaf Bexheti. Ai vlerësoi se gjatë mandatit të tij, Bexheti e ka udhëhequr universitetin me vizion, integritet dhe përkushtim të palëkundur ndaj ekselencës akademike, duke e konsoliduar UEJL-në si një qendër të rëndësishme rajonale të arsimit të lartë, që nxit inovacionin, gjithëpërfshirjen dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

Tochtermann theksoi gjithashtu se zgjedhja e profesor Sadudin Ibraimit, si rektor i ri është një moment i rëndësishëm në zhvillimin e institucionit dhe shprehje e besimit të Bordit dhe komunitetit akademik në aftësitë e tij drejtuese. Pas dorëzimit të mandatit, rektori i mëparshëm, Abdylmenaf Bexheti, tha se “sot është dita e bartjes së stafetës” dhe shprehu bindjen se rektori i ri do ta çojë universitetin drejt kapitujve edhe më të ndritur. Ai nënvizoi se Prof. Ibraimi e ka dëshmuar kapacitetin e tij gjatë gjithë kohës dhe se do ta dinamizojë më tej zhvillimin e universitetit, duke pasur përkrahjen e stafit dhe të gjithë komunitetit universitar.

Në fjalimin e tij, rektori i ri, profesor Sadudin Ibraimi, theksoi se këtë përgjegjësi e merr me mirënjohje të thellë ndaj paraardhësve dhe me vizion të qartë për ndërtimin e mëtejshëm mbi bazën e krijuar. Ai u zotua se universiteti do të vazhdojë me zhvillim të menduar dhe ambicioz, duke zgjeruar ndikimin e tij në arsimin e lartë në vend dhe rajon.

“Le ta ndërtojmë së bashku një universitet pa kufij, që promovon diversitetin, barazinë, përgjegjësinë dhe shërbimin ndaj shoqërisë; një universitet që zhvillon jo vetëm dijen, por edhe të qenit njeri”, u shpreh ai.

Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Lulzim Aliu, theksoi se dikasteri i arsimit do të vazhdojë të mbështesë këtë universitet. “Jemi të bindur se me përvojën, profesionalizmin dhe përkushtimin tuaj,do të udhëhiqni me sukses universitetin drejt sfidave të reja duke i dhënë prioritet inovacionit, digjitalizimit dhe përfshirjes së studentëve në procesin vendimmarrës. Ministria e Arsimit dhe Shkencës do të vazhdojë të jetë partner i afërt i universitetit tuaj dhe universiteteve tjera në vend”, tha Aliu. Ceremonia u përmbyll me program artistik. (koha.mk)

Të ngjajshme

Të fundit