Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka reaguar në prag të zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen më 11 maj në Republikën e Shqipërisë, duke i cilësuar ato si një ngjarje me rëndësi të veçantë jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë rajonin, informon POPULLI.mk
Ahmeti ka uruar që procesi zgjedhor të zhvillohet në mënyrë të rregullt dhe demokratike, ndërsa ka ftuar qytetarët shqiptarë, përfshirë edhe ata në diasporë, që të ushtrojnë të drejtën e votës.
“Zgjedhjet parlamentare të 11 majit në Republikën e Shqipërisë janë të një rëndësie të jashtëzakonshme jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për tërë rajonin. Uroj mbarëvajtje të procesit zgjedhor dhe ftoj të gjithë votuesit, përfshirë dhe diasporën, që ta ushtrojnë të drejtën e votës dhe të bëhen pjesëmarrës në përforcimin e demokracisë shqiptare dhe zhvillimin e vendit drejt mirëqenies dhe të ardhmes europiane,” deklaroi Ahmeti.
Ai gjithashtu uroi të gjithë garuesit në këto zgjedhje dhe përfundoi me një mesazh simbolik: “Uroj të fitojë Shqipëria!” / © POPULLI.mk