23.8 C
Skopje
E martë, 6 Maj, 2025

Vazhdon trendi i shpërnguljes së të rinjve nga shteti

Përfshirja e pamjaftueshme e të rinjve në proceset shoqërore është një nga arsyet për shpërnguljen e të rinjve, thotë Aleksandar Nikollovski, kryetar i Kuvendit Studentor, shkruan Alsat.

Ai shton se këshillat rinore duhet të forcohen në mënyrë sistematike dhe të rinjtë të përfshihen në mënyrë aktive në vendimmarrje.

Nëse të rinjtë vazhdojnë të injorohen, atëherë trendi i shpërnguljes së tyre do të vazhdojë dhe madje do të rritet ndjeshëm, thotë Nikollovski.

“Të dëgjohet zëri i tyre, të komunikohet me ta, të merren së bashku masat që ndërmerren, të përpilohet ligji për pjesëmarrjen rinore ku fillimisht do të zhvillohen këshillat rinore lokale dhe Kuvendi Kombëtar Rinor, gjë që nuk është realizuar mjaftueshëm që nga miratimi i ligjit. Të rinjtë duan të jenë pjesë e një sistemi ku edhe ata do të kontribuojnë. Nëse injorohen, nëse interesat partiake vendosen mbi ato shtetërore dhe shoqërore, atëherë është e qartë se nuk do të jenë 60 mijë të shpërngulur për 5 vjet, por për 5 vjet mund të jenë 120–200 mijë”, tha Aleksandar Nikollovski – kryetar i Kuvendit Studentor Universitar.

Sipas Ivan Peshevski, nënkryetar i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, arsye për shpërnguljen e të rinjve ndër vite janë pagat e ulëta, kushtet e këqija të punës, shëndetësia joefikase si dhe arsimi.

“Para së gjithash do të them pagat e ulëta, gjithçka është e lidhur me njëra-tjetrën. Përveç pagave të ulëta kemi kushte shumë të këqija pune, forma të pasigurta të punësimit, kontrata që nuk ekzistojnë në të drejtën e punës, vende pune që, më se qartë, meritojnë stazh të beneficuar, por nuk e kanë. Ende kemi pagë më të ulët në rajon, si mesatare ashtu edhe minimale, dhe një sërë problemesh të tjera, pa përmendur fare sa keq qëndrojmë me shëndetësinë dhe arsimin. E pastaj do të shihni pse tërë familje, e jo vetëm të rinj, ndër vite janë përfshirë nga ajo që mund ta quajmë ‘murtaja e bardhë’, dhe pse tërë fshatra e qytete janë shpërngulur”, tha Ivan Peshevskit – LSM.

Të dhënat e fundit tregojnë se gjatë pesë viteve të fundit nga Maqedonia janë shpërngulur pothuajse 60.000 të rinj, ndërsa hulumtimet tregojnë se çdo vit 10% e studentëve largohen për studime jashtë vendit, kryesisht në vendet e Bashkimit Evropian./ Alsat.mk

Të ngjajshme

Të fundit