Edhe pse ishte një ndër premtimet kryesore parazgjedhore, transporti publik pa pagesë për banorët e komunës së Tetovës, ende nuk është përmbushur.
Kreu i komunës, Bilall Kasami këtë premtim e bëri edhe pas marrjes së mandatit të dytë të tij, duke u zotuar se vendimi do të miratohej në mbledhjen e parë të këshillit komunal.
Sot, në mbledhjen e katërt të këshillit, transporti publik pa pagesë nuk është fare në rend dite. Pa dhënë sqarime për vonesën, zv.kryetari i Komunës Qamili thotë se vendimi do të zbatohet vitin e ardhshëm.
“Pa dyshim se premtimet që kemi dhënë gjatë kampanjës zgjedhore do i shndërrojmë në vepra. Ne jemi duke punuar intensivisht në përgatitjen e dokumentacionit dhe kushtet e nevojshme se si duhet të funksionojë dhe mund të them se viti 2026 do të fillojë me transport publik falas në Tetovë”, tha Albi Qamili, Zv. Kryetar.
Të kontaktuar nga Alsat, nga Ndërmarrja për Transport Publik thotë se presin që vendimi të marrë dritë jeshile në komunë.
“Jemi në përgatitjen e planit apo masave që do jenë konform këtij vendimi. Do bëhet identifikimi dhe realizimi i këtij plani në afat sa më të shkurtër të mundshëm. Shpresojmë në realizim sa më të shpejtë të kësaj që të jemi në hap me vendimet dhe kërkesat që do na vijnë nga vetë komuna apo këshilli”, theksoi Izer Kirmizi, Drejtor i Transportit Publik të Tetovës.
Ndërkaq as komuna e Tetovës dhe as Ndërmarrja për Transport Publik nuk sqarojnë se si do të realizohet kjo masë nuk kohën kur ndërmarrja ka shënuar humbje që nga themelimi i saj. / Alsat.mk
