Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar për herë të parë publikisht pas gjashtë muajsh qëndrimi në paraburgim, në një letër të gjatë drejtuar qytetarëve, miqve dhe mbështetësve të tij. Në këtë letër, Veliaj akuzon SPAK-un dhe organet e drejtësisë për një “persekutim politik të koordinuar”, që sipas tij ka për qëllim linçimin e tij publik dhe eleminimin si kundërshtar politik, informon POPULLI.mk
“Pesë agjentë të BKH-së më vizituan javën e kaluar për të më komunikuar akuzën, ndërsa mediat ishin njoftuar paraprakisht – një shkelje flagrante e sekretit hetimor dhe e të drejtave themelore,” shkruan Veliaj, duke e cilësuar këtë si një “spektakël të mirëorganizuar” kundër një të burgosuri që s’është ende i dënuar.
Veliaj përmend edhe përgjimet ndaj tij brenda institucionit të vuajtjes së dënimit, përfshirë komunikimet me familjen. Ai ironizon akuzat e reja si “propagandë në burg”, duke i cilësuar si dëshmi të dobësisë së provave kryesore.
Në letrën e tij, kryebashkiaku bën një bilanc personal dhe institucional, duke theksuar se nuk është gjetur asnjë shkelje në punën e tij si ministër dhe kryetar bashkie në projektet madhore që kanë shënjuar transformimin e Tiranës – nga Pazari i Ri e Sheshi Skënderbej, te Piramida dhe lagjet e reja të rindërtimit.
“Kam kaluar një vetting 21-vjeçar, personal, familjar dhe institucional. E vetmja gjë që u mbeti ishte të më nënshtrojnë edhe një vetting fizik – nga ezofagu në rektum – me prani të agjentëve dhe rojeve në sallë operacioni,” shkruan ai me tone të forta sarkastike dhe protestuese.
Veliaj ngre një sërë pyetjesh për procesin hetimor, përfshirë atë që ai e konsideron “sulm të koordinuar” mes prokurorisë dhe gjykatës, shpërndarjen e qëllimshme të dosjes në media, ndalimin e kontakteve me avokatët ndërkombëtarë, dhe mosrespektimin e të drejtës për një mbrojtje të ndershme.
“Cili kriminel i rëndë ka pësuar këtë trajtim?” pyet ai, duke iu referuar përfshirjes së gjerë të familjarëve në hetim dhe paralajmërimeve për hapje dosjesh ndaj rrethit të tij shoqëror.
Veliaj gjithashtu ndalet te pasojat njerëzore të arrestimit dhe izolimit: “Të kesh ndërtuar 50 shkolla për fëmijët e Tiranës, e të mos shoqërosh dot djalin tënd në klasën e parë është një dhimbje therëse,” shkruan ai, duke shprehur mallin për familjen dhe solidaritetin me qindra familje të tjera shqiptare që, sipas tij, përballen me “tirani penale” pa një dënim të formës së prerë.
Në fund, Veliaj lëshon një mesazh të qartë për kundërshtarët e tij politikë: “Nuk më mundën me vota. Nuk do më mundin as me këtë linçim.” Ai thekson se do të vazhdojë të luftojë për drejtësinë sociale, duke e cilësuar këtë si “kauzën më të madhe” që e angazhon në këto momente. / © POPULLI.mk