Në një konferencë për shtyp, Bashkimi Demokratik për Integrim ka dalë me akuza ndaj Izet Mexhitit dhe bashkëpunëtorit të tij, Halil Lumjanit. Sipas deklaratave të përfaqësuesve të kësaj partie, bashkëshortja e Lumjanit ka përfituar 18.000 euro përmes Agjencisë së Filmit, gjë që ata e paraqitën si konflikt interesi dhe si dëshmi të keqpërdorimit të pozitës, shkruan POPULLI.mk
Pas akuzave, ka ardhur edhe reagimi i menjëhershëm i Halil Lumjanit. Ai ka mohuar kategorikisht pretendimet, duke i cilësuar ato si të pavërteta dhe të fabrikuara për qëllime politike. “Unë qenkam shef kabineti i Zëvendëskryeministrit, nuk jam.” ka thënë Lumjani.
Ai më tej ka sqaruar se as pretendimi për përfitime nga Agjencia e Filmit nuk ka asnjë bazë reale, duke theksuar se nuk është i martuar. “Gruaja ime paska marrë 18.000 euro nga Agjencia e Filmit, unë nuk jam i martuar.” tha Lumjani në reagimin e tij.
Këto akuza dhe kundërpërgjigje pasojnë një seri përplasjesh politike mes BDI-së dhe VLEN-it, të cilat kohëve të fundit janë shpeshtuar dhe shpesh po shndërrohen në tema të diskutuara gjerësisht në opinion. Për momentin, as Agjencia e Filmit dhe as ndonjë institucion tjetër nuk ka dalë me sqarim publik lidhur me këtë çështje. / © POPULLI.mk
https://www.facebook.com/reel/638643445951477




