4.8 C
Skopje
E enjte, 24 Tetor, 2024

Vinca: Kadareja e ka reformuar letërsinë shqipe

Korpus e kontinent i tërë vlerësohet të jetë vepra letrare e Ismail Kadaresë, sipas poetit Agim Vinca. Jo vetëm kaq, ai konsideron se kolosi i letrave shqipe ka lënë pas vetës perandori letrare që lidhen me kombin shqiptar. Profesor Vinca shprehet se Kadare e ka reformuar gjuhën shqipe duke e ngritur në lartësi të papara. Sipas tij, shkrimtari i madh ka luajtur rol emancipues në kulturën shqiptare dhe se meritonte të nderohej me çmimin “Nobel” për letërsi.

Poeti Agim Vinca thotë se Kadareja është shkrimtar i historisë, teksa shton se ka afirmuar identitetin, gjuhën e historinë shqipe në gjithë botën.

Vinca: Vepra letrare e Kadaresë është një kontinent i tërë

“Vepra letrare e Kadaresë është një korpus i madh, një kontinent i tërë. Ai ka krijuar një perandori letrare dhe kjo perandori letrare ka të bëjë me kombin shqiptar. Kadareja është shkrimtar i krejt kombit, jo i vetëm një pjese. Ai ishte gjirokastrit, lindi në Gjirokastër, u rrit në Gjirokastër kreu shkollën fillore dhe gjimnazin, studimet në Tiranë, pastaj në bashkimin sovjetik në institutin Gorki, u kthye pastaj në Shqipëri punoi në gazetën ‘Drita’, u bë shkrimtar me profesion, iku në Paris në tetor 1990 dhe kërkoi azil politik që të shpejtonte proceset demokratike në Shqipëri, gjë që ndodhi pa kaluar dy-tre muaj dhe i gjithë ky shtegtim reflektohet edhe në veprën e tij”, shprehet ai.

Përmes veprës të mjeshtrit të shkronjave shqipe, siç thotë ai, shqiptarët e njohën vetën por edhe botën. Profesor Vinca vlerëson se Kadareja e ka reformuar letërsinë shqipe.

Vinca: Kadareja e ka reformuar letërsinë shqipe

“Kadareja më së pari e ka reformuar letërsinë shqipe, fillimisht poezinë sepse ai fillimisht ishte poet, në skenë doli si poet në vitet e 50-ta. 18 vjeç e botoi librin e parë, pastaj vazhdoi në vitin 1963, botoi romanin e tij të famshëm, më të përkthyerin dhe më të njohurin ‘Gjenerali i ushtrisë së vdekur’. Kritika letrare e Tiranës atëbotë shkruante ‘proza e një poeti’. Ky roman i përkthyer frëngjisht nga përkthyesi i njohur Jusuf Vrioni, një njohës i jashtëzakonshëm i të dy gjuhëve, edhe i shqipes, edhe i frëngjishtes. Suksesi i veprës së Kadaresë në Francë, në Paris dhe pastaj edhe në botën e gjerë, në metropole të mëdha të botës, i detyrohet edhe përkthimit brilant të Jusuf Vrionit”, thekson ai.

Poet Agim Vinca tregon se për herë të parë në vitin 1969, ka pasur kontakt me veprën e Kadaresë si student i letërsisë shqipe.

Vinca: Lexova librin ‘Vjersha dhe poema nga Rilinda’ dhe u fascinova

“U botua një libër me titullin ‘Vjersha dhe poema nga Rilinda’, e mora, e lexova, më fascinoi, më pëlqeu shumë. Dhe në konvikt ku banoja ku nuk kisha as makinë shkrimi, shkrova me dorë një recension me titull ‘Manifesti i poezisë shqipe’. Aty unë shihja se prej tij mund të mësohej, nga talenti i tij, nga vizioni i tij, nga stili i tij, nga mënyra se si ai e perceptonte botën dhe si e artikulonte fjalën, vargun, figurën, ritmin, metaforën, krahasimin, epitetin, tërë përbërësit e veprës letrare gjuhësore, veprës letrare artistike. Dhe atë botë pata shqiptuar një mendim se Kadareja është dhe do të bëhet shkrimtar evropian dhe u prit me reagime”, shton ai.

Më tej, ai thotë se Kadareja ka bërë atë që se ka bërë ndonjë shkrimtar tjetër, meqë historinë e lashtë e ka sintetizuar në veprat e tij.

Vinca: Kadareja e ngriti gjuhën shqipe në lartësi të papara

“Kadareja e ngriti gjuhën shqipe në lartësi të papara. Ai kishte pietet të rrallë për shqipen. E thotë edhe te vjersha ‘Gjuha Shqipe’- Kur në sulm hodhën turqit, Hordhitë e pambaruara, Kështjellat e sintaksës, S’i muar, që s’i muar’. Sepse shqipes i kanosej rreziku i turqizmit….Ai donte ta dëshmonte tezën se shqiptarët janë popull evropian. Shqipëria është në ballkan, Kosova është në ballkan gjeografikisht dhe historikisht. Natyrisht ballkani është një urë e dy qytetërimeve të mëdha lindore dhe perëndimore, shqiptarët kanë elemente edhe të njërit, edhe tjetrit sepse kulturat të gjitha kanë vlerat e tyre. Por, Kadareja ishte mbrojtës i madh i tezës se shqiptarët i takojnë familjes së popujve evropianë”, thotë profesor Vinca.

Agim Vinca tregon se në një studim mbi veprat e Kadaresë e kishte vlerësuar si “Mount Everest-in”, e letërsisë shqipe.

Vinca: Pata thënë se ‘Kadareja është Mount Everest-i’ i letërsisë shqipe

“Unë në një periudhë më të hershme, kur isha më i ri pata bërë një studim për receptimin e veprës së Kadaresë, pranimin, lexueshmërinë, vlerësimin, dhe aty e pata shqiptuar një mendim më entuziast se ‘Kadareja është Mount Everest-i’, i letërsisë shqipe. Natyrisht se nuk duhet mohuar kolegët e tij, krijuesit e gjallë dhe të vdekur, sepse një letërsi përveç një shkrimtari të madh e bëjnë edhe shkrimtarët e tjerë pak më të vegjël ose mesëm sepse krijojnë atmosferën”, thekson ai.

Si i vetmi shkrimtar botëror shqiptar, Vinca thekson se Kadareja e meritoi të merrte çmimin “Nobel” për letërsi.

Vinca: Kadareja ka luajtur rol emancipues në kulturën shqiptare

“Kadareja ka luajtur rol emancipues në kulturën shqiptare edhe flas për periudhën para viteve të 90-ta edhe më vonë. Sepse ai kishte mundësi më shumë se të tjerët dhe më shumë talent edhe më shumë vokacion. Kadareja është i vetmi shkrimtar shqiptar që është bërë në kuptimin e plot shkrimtar botëror. Është botuar në 45 gjuhë, është përkthyer, është komentuar, është shpërblyer. Vetëm nobelin se mora, ka marrë çmime tjera, Nobelin nuk e mori…Mendoj se e ka merituar, vepra e Ismail Kadaresë meritonte të nderohej me atë çmim, janë nderuar shkrimtar më minor se Ismail Kadareja”, përfundon Vinca.

Gjeniu i letrave shqipe, Ismail Kadare vdiq në moshën 88-vjeçare, të hënën më 2 korrik. Shqipëria e Kosova shpallën ditë zie, ndërkaq të mërkurën u mbajtën homazhe publike e ceremoni shtetërore në Tiranë, ku ju dha lamtumira e fundit mjeshtrit të shkronjave shqipe.

Të ngjajshme

Të fundit