Klubi i basketbollit Shkupi ka reaguar me keqardhje pas vendimit që iu pamundëson zhvillimin e ndeshjes kundër Vardarit në palestrën “Shaban Tërstena” në Çair, informon POPULLI.mk
Në një njoftim zyrtar, KB Shkupi bën me dije se kjo ndalesë ka ardhur me urdhër të kryetarit të KB Çair, me arsyetimin se palestra i është dhënë në përdorim një punonjësi të komunës që shërben në sektorin e financave.
“Me keqardhje ju njoftojmë se, pasi nuk na u lejua të luajmë në palestrën ‘Shaban Tërstena’, jemi të detyruar ta zhvillojmë ndeshjen kundër Vardarit në palestrën ‘Kale’, pa prezencën e publikut,” thuhet në komunikatën e klubit.
Sipas KB Shkupit, komesari i garave ka vendosur që kjo ndeshje të kategorizohet si me rrezik të lartë, çka e bën të pamundur praninë e tifozëve në sallë.
Ky zhvillim ka shkaktuar pakënaqësi në radhët e klubit dhe tifozëve, veçanërisht për rëndësinë dhe emocionin që sjell përballja kundër rivalëve të Vardarit. Klubi apelon për mirëkuptim dhe njofton se do vazhdojë angazhimin për ta përfaqësuar denjësisht qytetin, pavarësisht pengesave institucionale. / © POPULLI.mk
https://www.facebook.com/share/p/1AFp3G86tE/?mibextid=wwXIfr
