Lirimi nga arresti i Artan Grubit dhe Përparim Bajramit paraqet skandal të paprecedent dhe tallje të hapur me institucionet shtetërore.
Sot, kur opinioni është në shok nga informata se një djalë në të tridhjetat e tij, i cili punësimin e parë e ka pikërisht në Lotarinë Shtetërore, e bleu lirinë me garancion në vlerë mbi një milion euro, ndërkohë që shefi i tij pak më herët doli nga arresti shtëpiak, edhe pse që të dytë për më shumë se një vit ishin të arratisur nga drejtësia, parashtrohen disa pyetje publike:
A po ia kthen borxhin Sasho Mijallkovi Artan Grubit për shërbimet që ky i dyti ia kryente duke e lënë në liri derisa shqiptarët kalbeshin nëpër burgje?! A është kjo fatura për manipulimin e sistemit të drejtësisë përmes gjyqtarëve zë dëgjueshëm, për të cilët Artan Grubi përfundoi në listën e zezë amerikane?!
A po sfidohet drejtësia dhe lufta kundër korrupsionit nga recidivët e shërbimeve sekrete dhe nëntoka, dhe a po e paguajmë të gjithë ne tatimin e lojërave të pista të pushtetit të kaluar me eksponentë të shërbimeve sekrete dhe aleancat e tyre të heshtura me kartelet e krimit të organizuar?!
A janë këto vendime të turpshme të organeve të drejtësisë pasojë e ndryshimit kundërthënës të Kodit Penal, kumbar i të cilit ishte pikërisht Artan Grubi?!
VLEN kërkon shpjegim të menjëhershëm nga organet kompetente dhe autoritetet përgjegjëse të gjyqësisë dhe prokurorisë se si u bë lirimi i dy të arratisurve nga drejtësia! Si parti politike në pushtet, do të shfrytëzojmë të gjitha mekanizmat institucionale për zbardhjen e këtij skandali dhe për të siguruar qytetarët se tallje me drejtësinë dhe me shtetin nuk do të ketë! Njëkohësisht, kërkojmë vëmendje të shtuar ndërkombëtare për degradimin e institucioneve dhe shkatërrimin e besimit të qytetarëve në shtetin e së drejtës dhe luftën kundër krimit të organizuar në një vend anëtar të NATO-s.
Pas Artan Grubit, i cili ndodhet në listën e zezë amerikane për ndërmarrje korruptive në bashkëpunim me Mijallkovin, tani me garancion prej 1.2 milion eurosh nga paraburgimi po lirohet edhe Përparim Bajrami, ish Drejtori i Lotarisë Shtetërore.
Këto zhvillime nuk duhet të kalojnë në heshtje dhe as të mbeten pa përgjegjësi. Të gjithë ata që kanë pasur rol në këto procese do të japin llogari brenda përgjegjësive të tyre ligjore dhe institucionale.
VLEN fton faktorin ndërkombëtar dhe ambasadat e huaja që ta ndjekin nga afër këtë proces, në funksion të transparencës dhe sundimit të ligjit.
Grubi dhe Bajrami nuk mund të jenë mbi ligjin. Përgjegjësia s’duhet t’i shmanget askujt. Përgjegjësi do të ketë. Drejtësia do ta arrijë secilin.




