VLEN ka dalë dominues absolut në kampin politik shqiptar pas përfundimit të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut, shkruan POPULLI.mk.
Me gjithsej 10 komuna të fituara, VLEN tashmë është bërë forca e dytë më e madhe në shtet, duke vulosur një kapitull të ri në skenën politike shqiptare.
Në anën tjetër, AKI ka përjetuar një dështim të plotë në këto zgjedhje, duke arritur të sigurojë 4 komuna, por pa asnjë qytet. Edhe dy figurat e saj, Ziadin Sela dhe Arben Taravari, kanë mbetur pa asnjë fitore, duke shënuar kështu fundin e një epoke dhe humbjen e besimit të elektoratit.
Rezultatet e këtyre zgjedhjeve e kanë konsoliduar pozicionin e VLEN-it si alternativën e vetme serioze brenda kampit shqiptar, një forcë që ka arritur të unifikojë energjitë e reja politike dhe të sjellë ndryshimin e shumëkërkuar.
Në këtë moment të rëndësishëm për koalicionin, vëmendja tashmë është përqendruar te zgjedhja e kryetarit të VLEN-it. Sipas zhvillimeve të brendshme dhe perceptimit publik, Izet Mexhiti shihet gjerësisht si lideri i padiskutueshëm, njeriu që e udhëhoqi me vizion, maturi dhe vendosmëri këtë fitore historike.
VLEN tashmë hyn në një fazë të re, atë të qeverisjes lokale me përgjegjësi, transparencë dhe vizion europian për të ardhmen e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. / © POPULLI.mk




