25.8 C
Skopje
E premte, 11 Korrik, 2025

VLEN kundër BDI-së: Partia më antievropiane dhe antiamerikane

Koalicioni qeverisës VLEN ka reaguar ndaj BDI-së për letrën të cilën integristët ua dërguan partnerëve ndërkombëtarë “mbi shqetësimet e thella për përjashtimin sistematik të shqiptarëve nga institucionet kyçe të shtetit”. Nga VLEN e quajnë BDI-në “partia më antievropiane dhe antiamerikane”, e cila informimet ua dërgon ambasadave vetëm përmes komunikimit digjital, sepse, siç shtojnë, si parti e padëshiruar nuk mund t’u afrohet as rrethojave të ambasadave të huaja në vend.

“BDI, me Artan Grubin, Ramiz Merkon dhe një varg figurash të diskredituara, nuk ka kredibilitet të flasë për interesat kombëtare. Një parti e zhytur në afera korruptive dhe me përfaqësues të futur në listat e zeza amerikane nuk mund të pretendojë se informon faktorin ndërkombëtar. Ata mund të raportojnë në Kremlin, por jo te SHBA-të dhe partnerët tanë strategjikë, të cilët janë të vetëdijshëm për abuzimet dhe keqqeverisjen e BDI-së”, thonë nga koalicioni VLEN.

BDI dje përmes një letre dërguar Bashkimit Europian, SHBA-ve, Mbretërisë së Bashkuar dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë, alarmuan për përjashtim, diskriminim dhe degradim të shqiptarëve në institucionet publike, duke theksuar sferën e kulturës dhe mbrojtjes, me çka sipas tyre po rrezikohet struktura multietnike e shtetit.

“Të dhënat dëshmojnë një proces sistematik të përjashtimit të shqiptarëve nga rolet vendimmarrëse në institucionet shtetërore, i cili vë në pikëpyetje përkushtimin e qeverisë ndaj qeverisjes gjithëpërfshirëse dhe respektimit të Marrëveshjes së Ohrit. Kjo prirje e organizuar e margjinalizimit nuk është një fenomen i izoluar, por një zhvillim sistematik që kërcënon barazinë institucionale dhe procesin e integrimit euroatlantik të vendit”, theksojnë nga BDI.

Në thirrjen drejtuar partnerëve ndërkombëtarë, BDI kërkon që këto shqetësime të trajtohen përpara se të bëhen strukturore dhe të vështira për t’u rikthyer. Por VLEN, në reagimin e sotëm, shkroi se janë në pushtet për të mos bërë gabimet e njëjta dhe për të bërë maksimumin e mundshëm për shqiptarët.

Të ngjajshme

Të fundit