8.8 C
Skopje
E mërkurë, 11 Shkurt, 2026

VLEN në udhëkryq, përçarje apo riorganizim?

Koalicioni VLEN duket se po përballet me tensione të brendshme që mund të ndikojnë drejtpërdrejt në stabilitetin e tij politik dhe në përbërjen e Qeverisë, shkruan POPULLI.mk. 

Burime brenda kampit politik bëjnë të ditur se marrëdhëniet mes partnerëve të koalicionit nuk janë më aq harmonike sa në fillim, duke hapur rrugën për rishikime të pozicioneve dhe raporteve të forcës.

Partia BESA, si një nga komponentët e VLEN-it, thuhet se po shqyrton seriozisht qëndrimin e saj si brenda koalicionit, ashtu edhe në Qeveri. Këto diskutime vijnë pas pakënaqësive të shprehura për mënyrën e funksionimit të partneritetit politik dhe ndikimit të saj në vendimmarrje.

Në këtë kontekst, një nga zhvillimet e pritshme është edhe shkarkimi i mundshëm i Fatmir Limanit nga radhët e BESËS, por edhe nga pozita ministrore që mban aktualisht. Një lëvizje e tillë do të shënonte një përplasje të hapur brenda strukturave partiake dhe qeveritare.

Paralelisht, po qarkullojnë dy skenarë për të ardhmen e VLEN-it: ose koalicioni do të funksionojë me dy kryetarë si kompromis politik, ose do të përballet me largimin e Alternativës dhe BESËS. Në këtë rast, ekuilibrat politikë do të ndryshonin ndjeshëm.

Një tjetër mundësi që përmendet në qarqet politike është futja e ASH-së së Selës në Qeveri, si një alternativë për të ruajtur shumicën parlamentare dhe stabilitetin qeverisës.

Të gjitha këto janë zhvillime të mundshme që pritet të qartësohen në ditët në vijim, ndërsa skena politike mbetet dinamike dhe e paparashikueshme.

© POPULLI.mk

Të ngjajshme

Të fundit