25.4 C
Skopje
E shtunë, 8 Gusht, 2026

VLEN: “Referendumi i rrejshëm” po i kthehet në bumerang BDI-së

Koalicioni opozitar VLEN ka reaguar ndaj fushatës së fundit të BDI-së, duke e quajtur atë “referendum të rrejshëm” që po i kthehet vetë partisë së Ali Ahmetit në bumerang politik.

Sipas reagimit të VLEN-it, “koalicioni me shirit ngjitës”, që u bashkua vetëm për interesa të vogla personale, do ta mbyll përfundimisht kapitullin e vet politik menjëherë pas zgjedhjeve lokale. “Britmat e Ahmetit, Taravarit dhe Selës janë ulërimat e fundit të një koalicioni në agoni. Njëri kërkon ‘marrëveshje politike’ dhe përpiqet të kopjojë Ali Ahmetin, të cilin me të drejtë duhet ta pyesë çfarë ndodhi me letrat që i dërgonte nëpër botë dhe ku e kanë ekspertizën e Paul Williams? Tjetri endet vërdallë në panik, se mos po tradhtohet nga të dy”, thuhet në reagim.

VLEN thekson se të gjitha sondazhet tregojnë qartë përparësinë e kandidatëve të saj në shumicën e komunave me shumicë shqiptare, ndërsa “referendumi” i BDI-së, siç e quan ajo, është “projekti i fundit i një partie në panik që po përballet me humbje të pashmangshme”.

“Shqiptarët e kanë parë këtë film 23 vite me radhë – patriotizëm në fjalë, hajni në vepra. Njëzet vite nuk arritën të sigurojnë as ujë të pijshëm në komunat shqiptare; në disa prej tyre, edhe ujin e lanë të helmuar me arsen. Kjo është ‘bota’ që ndërtuan: e ndotur, e pangopur dhe e kalbur nga brenda”, vijon më tej reagimi.
Në përfundim, VLEN thekson se komunat që i qeveris BDI-ja janë shembulli më i qartë i rrëmujës, varfërisë dhe mungesës së çdo vizioni për zhvillim.

“Prandaj, shqiptarët sot i kthejnë shpinën këtij ‘referendumi mashtrues’ të trumbetuar nga Ahmeti, Taravari dhe Sela”, përfundon reagimi.