12.8 C
Skopje
E shtunë, 18 Tetor, 2025

Votimi nis me 11 mijë qytetarë, provë e parë për Komisionin Shtetëror Zgjedhor

Filloi votimi për Zgjedhjet lokale 2025. Sot, një ditë para datës së caktuar për zgjedhjet votojnë 2162 të burgosur, personat në arrest shtëpiak, 8851 persona të sëmurë dhe të pafuqishëm dhe 442 persona në shtëpitë e të moshuarve.

Në Shtëpitë Ndëshkuese – Korrigjuese (SHNK), sipas Listës Zgjedhore, duhet të votojnë 2162 të burgosur, ndërsa sipas informacioneve të MIA-s më së shumti në SHNK Idrizovë 938, në burgun në Shuto Orizarë 391, në burgun e Shtipit 237, në atë të Prilepit 119… Në shtëpitë e tyre do të votojnë edhe persona të cilët ishin paraqitur për votim ndërsa gjenden në arrest shtëpiak.

Anëtarë të këshillave zgjedhorë sot në shtëpitë e tyre duhet të vizitojnë 8851 persona të sëmurë dhe të pafuqishëm të cilët kërkuan dhe u ishte pranuar të votojnë. Në KKZ mbërritën 9217 paraqitje për votim të personave të sëmurë dhe të pafuqishëm, ndërsa ishin pranuar vetëm 8851.

Në shtëpitë e të moshuarve do të votojnë 442 persona të moshuar, në vend 450 persona. Numri u ul për tetë persona pasi Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, siç bëri të ditur KSHZ në mbledhje para disa ditëve, njoftoi se Shtëpia e Pleqve “Arija” është mbyllur.

Në vend nesër do të mbahen zgjedhjet e teta lokale që nga pavarësia e vendit, ndërsa të katërtat në të cilat do të zgjidhen kryetarë komunash dhe lista të këshilltarëve në 80 komuna dhe Qytetin e Shkupit. Do të votohet në 3474 vendvotime për 309 kandidatë për kryetarë komunash dhe 576 lista të kandidatëve për anëtarë të këshillave komunalë ose për gjithsej 10 490 kandidatë.

Në zgjedhje marrin pjesë 22 parti, 19 koalicione dhe 119 grupe të votuesve gjegjësisht kandidatura të pavarura.

Më së shumti kandidatë për kryetarë komunash ka për Qytetin e Shkupit – 16.

Të drejtë vote në Zgjedhjet Lokale kanë 1.832.415 votues, prej të cilëve 1.717.803 në vend përderisa 112 mijë të tjerë janë regjistruar në Listën e Vetme Zgjedhore me persona të cilët janë shpërngulur nga shteti. Votim në diasporë për zgjedhjet lokale nuk ka, por nëse personat të cilët janë në punë të përkohshme ose jetojnë jashtë vendit udhëtojnë në vend do të mund ta realizojnë të drejtën e tyre të votës.

Votimi filloi në orën 7:00, ndërsa përfundon në orën 19:00.

Fushata zgjedhore për Zgjedhjet Lokale 2025 përfundoi mbrëmë në mesnatë kur filloi heshtja para votimit të së dielës më 19 tetor. Rregullat për heshtje zgjedhore vlejnë deri në më 19 tetor në orën 19.

Të ngjajshme

Të fundit