0.8 C
Skopje
E hënë, 1 Dhjetor, 2025

VV zgjedh koalicionin, partitë e mëdha hyjnë të vetme në zgjedhje

Lëvizja Vetëvendosje është e vetmja parti parlamentare që ka zgjedhur të garojë në koalicion në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit. Ndryshe nga ciklet e kaluara, ku në listat e VV-së përfshiheshin edhe kandidatët e Guxo-s dhe Alternativës, kësaj radhe është krijuar një subjekt i veçantë me emrin “Koalicioni Lëvizja Vetëvendosje”. Përveç këtyre dy partive, koalicionit i është bashkuar edhe Partia Shqiptare Demokristiane (PSHDK), transmeton Ekonomia Online.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka konfirmuar këtë koalicion në ditën e fundit të afatit për paraqitje të subjekteve politike.

Në anën tjetër, partitë e tjera kryesore parlamentare – PDK, LDK dhe AAK – kanë vendosur të hyjnë në zgjedhje pa aleanca. Po ashtu, Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt do të garojë e vetme, ndonëse në zgjedhjet e fundit ishte pjesë e koalicionit me AAK-në. Nisma nuk e kishte kaluar pragun prej 5 për qind në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Për këto zgjedhje janë regjistruar edhe dy koalicione të tjera: koalicioni “PAI – PDAK – LPB”, që përfshin Partinë e Ashkalinjëve për Integrim, Partinë Demokratike të Ashkanlive të Kosovës dhe Lëvizjen për Bashkëveprim; dhe “Koalicija VAKAT”, e përbërë nga DSB, BSK dhe DSV, që përfaqësojnë komunitetin boshnjak.

Pjesë e garës si subjekte të vetme janë edhe: Jedinstvena Goranska Partija, Za Slobodu Pravdu i Opstanak, Kosova Demokratik Türk Partisi, Partia Liberale Egjiptiane, Partia Rome e Bashkuar e Kosovës, Socialdemokratska Unija – SDU, Srpska Lista, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Fjala, Nova Demokratska Stranka – NDS, Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës (LPRK) dhe Kosovski Savez.

Dy iniciativa qytetare janë paraqitur gjithashtu: “Për socialdemokratët e ashkalinjve” dhe “Iniciativa Qytetare për Kosovë”, ndërsa si kandidat i pavarur ka aplikuar Nexhmidin Sejdilar.

Sipas rregullave zgjedhore, koalicionet mbesin të pandashme deri në certifikimin e rezultateve, dhe partitë që janë pjesë e një koalicioni nuk mund të paraqiten në ndonjë listë tjetër.

Subjektet politike kanë afat deri më 7 dhjetor 2025 që, përmes platformës zyrtare, të dorëzojnë listat me kandidatët për deputetë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Të ngjajshme

Të fundit