Zëvendësministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri, ka dhënë lajme shumë të mira nga Brukseli për transportuesit dhe shoferët profesionistë, informon POPULLI.mk
Ajo njoftoi se qëndrimet e palës sonë janë pranuar dhe se shoferët tanë tashmë njihen zyrtarisht si profesionistë, një kërkesë kyçe për të cilën institucionet kanë punuar vazhdimisht.
Sipas Zekolli Shaqirit, strategjia e re për viza, e cila aktualisht po përgatitet nga Bashkimi Evropian, pritet të sjellë zgjidhje konkrete për sfidat me të cilat janë përballur shoferët profesionistë, veçanërisht në aspektin e lëvizjes dhe procedurave administrative.
“Falënderoj të gjithë partnerët që kontribuuan në këtë proces të rëndësishëm. Angazhimi ynë për sektorin e transportit vazhdon”, ka theksuar zëvendësministrja.
Ky zhvillim vlerësohet si hap i rëndësishëm për lehtësimin e punës së transportuesve dhe forcimin e sektorit të transportit në vend. / © POPULLI.mk
