Në panelin “She Builds Peace in the Western Balkans”, të mbajtur në Universitetin UBT në Prishtinë, u diskutua roli i grave në ndërtimin e paqes dhe sigurisë në rajon, në linjë me frymën e Rezolutës 1325 të Kombeve të Bashkuara, informon POPULLI.mk.
Gjatë fjalës së saj, zv. Ministrja Kaltrina Zekolli-Shaqiri theksoi se Maqedonia e Veriut ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm drejt fuqizimit të grave në proceset vendimmarrëse, përmes politikave të diskriminimit pozitiv dhe zbatimit të Planit Kombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.
“Si nënë, profesoreshë dhe funksionare publike, besoj se çdo grua ka forcën të ndikojë në ndryshim. Asnjë luftë nuk ka nisur nga gratë, por shumë paqe kanë filluar falë tyre. Pa kontributin e tyre, shoqëria nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme dhe stabilitet”, u shpreh Zekolli-Shaqiri.
Paneli solli në qendër të vëmendjes domosdoshmërinë e përfshirjes aktive të grave në vendimmarrje, si një element thelbësor për krijimin e një mjedisi më të sigurt dhe më stabil në Ballkanin Perëndimor. / © POPULLI.mk
