24.8 C
Skopje
E mërkurë, 30 Korrik, 2025

Zekolli Shaqiri: Mbi 50 milionë euro investime për komunat shqiptare, miratohen 238 projekte infrastrukturore

Zv.Ministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri, ka prezantuar sot një pako të dytë madhore investimesh infrastrukturore, që kap vlerën mbi 3 miliardë denarë, apo mbi 50 milionë euro, të cilat do të shpërndahen në më shumë se 20 komuna shqiptare dhe komuna me përqindje të lartë të popullatës shqiptare në Maqedoninë e Veriut, informon POPULLI.mk

“Ky nuk është një investim simbolik, por një kthesë e madhe në qasjen institucionale ndaj komunave shqiptare, të cilat për dekada janë lënë në harresë,” theksoi Zekolli Shaqiri gjatë fjalimit të saj.

Pakoja përfshin gjithsej 238 projekte konkrete, që variojnë nga ndërtimi dhe rikonstruktimi i rrugëve lokale, zgjerimi i rrjeteve të ndriçimit publik, ndërtimi i urave dhe kanaleve të ujërave të zeza dhe atmosferike, si dhe investime të tjera jetike për mirëqenien e qytetarëve.

Në mesin e komunave përfituese, investimet më të larta janë ndarë për:

Tetovë: 478 milionë denarë

Gostivar: 382 milionë denarë

Kërçovë: 292 milionë denarë

Strugë: 183 milionë denarë

Çair: 182 milionë denarë

Saraj: 179 milionë denarë

Shuto Orizarë: 177 milionë denarë

Likovë: 141 milionë denarë

Butel: 138 milionë denarë

Studeniçan: 129 milionë denarë

Zv.Ministrja theksoi se këto projekte janë pjesë e modelit të ri të qeverisjes, të promovuar nga Qeveria VLEN, që synon të sjellë zhvillim të barabartë, të ndershëm dhe të shpërndarë drejt atyre që realisht kanë nevojë.

“Këto investime nuk janë rastësi. Ato janë rezultat i një pune të planifikuar mirë, që reflekton një përkushtim të sinqertë dhe konkret për të zhvilluar ato pjesë të vendit ku më së shumti është ndjerë mungesa e shtetit,” deklaroi Zekolli Shaqiri, duke shtuar se ky është vetëm fillimi i transformimit infrastrukturor që do të prekë çdo cep të komunave shqiptare dhe të margjinalizuara prej vitesh.

“Sot kemi dëshmuar se kur ka vullnet, ka mundësi. Dhe mbi të gjitha, VLEN të punohet për qytetarët,” përfundoi ajo. / © POPULLI.mk

Të ngjajshme

Të fundit