25.4 C
Skopje
E shtunë, 8 Gusht, 2026

Zekolli-Shaqiri: Në emër të UÇK-së morët pushtet, por s’bëtë as ujësjellës për Lubotenin!

Zëvendësministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri, ka reaguar ashpër ndaj partive që për më shumë se dy dekada kanë qeverisur në emër të sakrificës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa, sipas saj, kanë lënë pas dore nevojat elementare të qytetarëve, informon POPULLI.mk

Në një deklaratë publike, Zekolli Shaqiri tha se banorët e Lubotenit kanë mbetur pa rrjet kanalizimi, pa ujësjellës, rrugë e kushte bazike jetese, pavarësisht se për 20 vite të tjerë kanë përfituar pushtet e privilegje personale nën petkun e patriotizmit.

“Nga emri dhe sakrifica e UÇK-së, për 20 vite ju keni përfituar pushtet, poste dhe privilegje personale, ndërsa banorët e Lubotenit kanë mbetur pa rrjet kanalizimi, pa ujësjellës, pa rrugë dhe pa kushte elementare jetese”, tha ajo.

Zëvendësministrja theksoi se vizita në Luboten nuk ishte pjesë e fushatës, por një inspektim i punimeve në projektet jetike që përfshijnë rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimit, investime që, sipas saj, “i japin fund neglizhencës shumëvjeçare ndaj një zone me histori të dhimbshme e krenare për shqiptarët”.

“Në këtë fshat janë vrarë, përndjekur e maltretuar familje shqiptare, dhe për 20 vite askush nga ju nuk ka bërë as minimumin për t’i shpërblyer me dinjitet. Në vetëm një vit e gjysmë pune, ne kemi kaluar nga fjalët në vepra, nga premtimet e pambajtura në projekte të përfunduara”, shtoi ajo.

Zekolli Shaqiri theksoi se qytetarët tashmë e shohin dallimin në terren dhe se “propaganda e vjetër nuk ka më efekt”.

“Populli nuk e ha më mjegullën tuaj të radhës, sepse aty ku ju keni folur për 20 vite, ne kemi vepruar për 1 vit. Patriotizmi nuk matet me statuse e deklarata, por me punë konkrete për njerëzit e këtij vendi”, tha ndër të tjera zëvendësministrja.

Ajo përmbylli deklaratën me bindjen se më 19 tetor qytetarët do ta dëshmojnë me votë ndryshimin që po ndodh. / © POPULLI.mk